Policia informon se ka identifikuar personin që vrau 2 ditë më parë një kalë dhe plagosi një tjetër, të dy kafshë të një biznesi agroturizmi në Kolonjë.

Në lidhje me një rast të publikuar në rrjete sociale, në të cilin shfaqet një kafshë pune (kalë) e vrarë me armë gjahu, ju informojmë se:

Specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Kolonjë, si rezultat i veprimeve hetimore të kryera për zbardhjen dhe dokumentimin e kësaj ngjarjeje, referuan materialet në Prokurori dhe filloi procedimi në gjendje të lirë për shtetasin O. M., 24 vjeç, banues në fshatin Shelegur, Kolonjë, për veprën penale “Keqtrajtimi i kafshës”.

Nga hetimet rezultoi se ky shtetas, më datë 26.01.2023, gjatë natës, në fshatin Shelegur, ka vrarë me armë gjahu 1 kafshë pune (kalë) dhe ka plagosur 1 tjetër kafshë, te dyja në pronësi të shtetasit J. H.

Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Korçë, për veprime të mëtejshme.

Drejtoria Vendore e Policisë Korçë fton të gjithë qytetarët që të denoncojnë çdo rast të paligjshmërive, duke u siguruar reagim të shpejtë dhe të paanshëm, kundrejt shkelësve të ligjit.