Gjykata e Durrësit ka lënë në arrest me burg Habib Rexhën, i cili akuzohet për vrasjen e Arian Gosës në Kavajë. Ndërkohë shoku i tij, Ervis Kurti eshte lene ne ‘Arrest shtëpie’.

Para gjyqtarit Olti Skrame, Habib Rexha ka deklaruar se nuk e vrau për gjakmarrje por se ndjehej i kërcënuar prej tij dhe kur e pa në lokal vendosi ta vrasë.

Ekzekutori i Arjan Gosës, Habib Rexha u vetëdorëzua në polici pasditen e së mërkurës, pas negociatave të gjata mes tij, familjes dhe policisë.

Ai ka qenë me shokun e tij, Ervis Kurtin, kur ka parë Arjanin të ulur në lokal përbri shkollës 9-vjeçare “Rilindja” në Kavajë. 31-vjeçari ka deklaruar se pasi e ka parë shënjestrën, është zhvendosur me makinë rreth 200 metra më tutje, ku ka lënë mjetin dhe është kthyer në këmbë bashkë me armën që e mbante në makinë.

Viktima u vra ndërsa ndodhej në lokal së bashku me babanë e tij të moshuar, dëshmia e të cilit është pjesë e dosjes hetimore për ngjarjen. Babë e bir ishin ulur në pjesën e jashtme të lokalit dhe po ndiqnin të shkujdesur një ndeshje futbolli. Të dy kanë qenë me kurriz nga rruga, ndaj nuk e kanë parë autorin kur ka hyrë në lokal.

I tronditur nga gjithçka përjetoi në moshë të thyer, Osmani nuk e kishte menduar se do të humbiste dhe djalin tjetër si pasojë e krimit në të cilin u përfshi dhe humbi jetën edhe i biri Edmondi.

Vëllai i Habibit, Altin Rexha u qëllua nga Edmond Gosa në prani të djalit të mitur, teksa po kthehej në shtëpi me të. Meqë të dyja palët e përfshira në konfliktin e 29 marsit, Edmond Gosa dhe Altin Rexha vranë njëri-tjetrin, familja Gosa nga Kavaja nuk e kishte dyshuar hakmarrjen, e cila nuk vonoi.