Kush ka qenë më të paprekshëm, politikanët apo përfaqësuesit e botës së krimit? Kreu i SPAK, Arben Kraja është i qartë në përgjigjen e drejtuar gjatë intervistës së dhënë në emisionin 31 minuta në RTSH: Të gjithë nga pak. “Të gjithë të përfshirë, qoftë politika, qoftë strukturat e krimit të organizuar, por qoftë edhe strukturat e drejtësisë për rastet kur kanë kryer aktivitet jo të ligjshëm”, thekson Kraja.


Kreu i SPAK gjithashtu ka folur edhe për zbardhjen e dy ngjarjeve të bujshme të vrasjes së biznesmenit Vajdin Lame dhe Klodjan Saliut. Për këtë janë akuzuar një numër personash që kanë janë akuzuar dhe dënuar për si grupe të strukturuara kriminale si Lulzim Berisha apo Emiljano Shullazi, apo Plaurent Dervishaj.


Ishte pikërisht dëshmia e Luftar Reçit, të penduarit të drejtësisë, që hodhi dritë mbi dy vrasjet e bujshme që tronditën vendin 15 vjet më parë.


Anila Hoxha: Pak përpara plotësimit të 1 vjetorit, prokurorët e SPAK, goditën krerë të grupeve kriminale që kanë bërë histori në botën e krimit në Shqipëri. A është ky vetëm fillimi?


Arben Kraja: Rikthemi edhe njëherë asaj që thashë, ne duhet të godasim pandëshkueshmërinë dhe besoj ai  ishte një  mesazhi i qartë që pandëshkueshmëria, kudo që të jetë, është për t’u goditur dhe normalisht është pjesë e punës dhe nuk mund të them që është as fillimi dhe as fundi, sepse ka patur edhe më përpara dënime, por është një standard i punës sonë. Me të njëjtën standard do të vazhdojmë edhe në ditët në vijim dhe në vitin në vazhdim. Kushdo që të jetë pjesë e hetimeve tona që ka kryer vepra penale, padiskutim që do të ndëshkohet.


Anila Hoxha: Dosja më e fundit është goditja dhe bashkëveprimi i SPAK me partnerët ndërkombëtarë, për sa i takon një rrjeti të kokainës. Mund të kemi detaje veç asaj që është bërë publike edhe nga ndërkombëtarët?


Arben Kraja: Detaje nga dosja nuk mund të japim, por kuptohet edhe me përpara që është sekret hetimor. Është bërë një njoftim publik dhe nuk është vetëm ajo dosje, janë shumë dosje të tjera që ne kemi me partnerët  tanë ndërkombëtarë, që punojmë çdo ditë me ta, shkëmbejmë informacione bëjmë hetime të përbashkëta dhe pastaj dalin në rezultate konkrete.


Një nga dosjet besoj, ju e kujtoni sepse ka patur edhe njoftim publik nga autoritetet italiane të drejtësisë, e cila u realizua për herë të parë pas shumë e shumë vitesh. Dy prokurori njëkohësisht ekzekutuan vendimet e arrestit, ekzekutuan njëkohësisht vendimet e sekuestros, pasuritë që rriten nga aktiviteti kriminal. Pra ishte një aksion i goditur perfekt, i cili u reklamua shumë edhe nga Eurojust, i cili menaxhonte dhe drejtonte të gjithë këtë hetim të përbashkët.


Anila Hoxha : Kam vërejtur gjatë këtij viti reagim të Spak-ut, për sa i përket grupeve kriminale të kokainës. Ka vërtet grupe kriminale të fuqishme që veprojnë në rrjete ndërkombëtare të narkotrafikut për sa i takon kokainës?


Arben Kraja: Padiskutim që ka grupe të forta që veprojnë, prandaj janë bërë edhe objekt i hetimit tonë, prandaj edhe ne bashkëpunojmë shumë me ndërkombëtarët sepse trafiku i kokainës apo i trafiqeve nuk bëhen vetëm në Shqipëri. Preken shumë shtete, preken interesa të mëdha, por edhe krijojnë problem në shumë shtete nga pikëpamja e shkeljes së ligjit. Në këto kushte, siç edhe autorët e veprave penale bashkëpunojnë me njëri-tjetrin pavarësisht kufijve, edhe forcat e zbatimit të ligjit duhet të bashkëpunojnë nëse duan që  ti godasim. Ky është parimi që ne kemi vendosur prandaj kemi futur në raporte shumë të ngushta me partnerët ndërkombëtarë për të bërë hetime të përbashkëta sa herë të jetë e nevojshme.


Anila Hoxha: Cila është veçoria e grupeve të trafikantëve kriminale të kokainës? Pastrojnë paratë ne Shqipëri apo janë aktive dhe janë të barabartë mes kriminelëve në vende të caktuara?


Arben Kraja: Ka veçori dhe specifika të ndryshme. Varet ku e ushtrojnë aktivitetin. Në përgjithësi ndodh që aktiviteti ushtrohet jashtë duke qenë edhe në territorin tonë, apo ndodh që aktiviteti kalon transit në territorin tonë. Ka shumë investime në kuptimin “para” që vijnë nga aktiviteti kriminal që tentojnë të futen në Shqipëri, për t’u investuar. Ka shumë specifika dhe shumë sjellje të themi nga pikëpamja e aktivitetit kriminal.


Anila Hoxha: Por goditja më e bujshme ishte zbardhja e dy vrasjeve  së Vajdin Lames dhe Klodian Saliut, vrasje të cilat ishin harruar dhe  mbuluar nga pluhuri i viteve. Ka prova SPAK që veç dëshmitarit  kryesorë apo është një histori që vazhdon dhe po hetohet ende?


Arben Kraja: Ajo është një histori pa diskutim nën hetim. Ka një vendim gjykate që ka caktuar masat e sigurimit,  pra për sa kohë që ka një vendim gjykate pa diskutim që është dhënë mbi bazën e provave.


Anila Hoxha: Z. Kraja, në një nga daljet tuaja publike, ju keni thënë, që ju e dini që njerëzit presin rezultate, rezultate. Çfarë ka për ti thënë SPAK publikut?


Arben Kraja: Njerëzit kërkojnë që të gjitha hallet ti zgjidhin tek Spak-u. Vijnë tek ne letra të pafundme, nga më të çuditshme. Ndonjëherë  njerëzit për një gardh që ngatërrohen me njëri-tjetrin thonë nuk ma ka zgjidhur strukturat lokale kërkoj të ma zgjidhni ju, sepse kam besim tek  ju. Kjo ka dy anë, e para tregon besim, na ngarkon ne me përgjegjësi edhe më të madhe.


Kjo ishte e para që duhet t’ju them njerëzve, që ne veprojmë në bazë të kompetencave të caktuara dhe janë ato që parashikon kodi i procedurës penale dhe nuk mund të bëjmë gjithçka, e dyta, ajo që duhet ti garantoj është edhe mesazhi që kam dhënë me rastin e një vjetorit kur botuam treguesit e përgjithshëm, është që, ne garantojmë që pandëshkueshmëria nuk do të jetë më fenomen në Shqipëri, për rastet që janë objekt i  hetimit apo kompetencë e prokurorisë së posaçme. Të pandëshkueshmit nuk do të kenë më sukses dhe nuk do të mbijetojnë.


Anila Hoxha: Kush ka qenë gjatë këtyre viteve më e paprekshme politika apo krimi i organizuar?


Arben Kraja: Të gjithë nga pak. Të gjithë të përfshirë, qoftë politika, qoftë strukturat e krimit të organizuar, por qoftë edhe strukturat e drejtësisë për rastet kur kanë kryer aktivitet jo të ligjshëm.


Anila  Hoxha:Do veprohet me të  njëjtën forcë tek  të gjithë?


Arben Kraja: Nuk kemi dallim fare. I vetmi dallim është që kush ka prova dhe kush i plotësohen kriteret për tu hetuar fillimisht dhe pastaj për tu dërguar për gjykim në varësi të provave që mblidhen.


Anila Hoxha: Ka kapacitetet e duhura SPAK për të hetuar këtë lloj krimi, kaq të sofistikuar? Në rast se të gjithë bashkë janë bërë bashkë, tashmë dhe janë aleat në botën e krimit.


Arben Kraja: SPAK-u ka strukturën e vet që do të ketë, pra grupin e prokurorëve dhe grupin e hetuesve të cilët janë të pavarur dhe garantojnë që të bëhet hetimi pa problematika. Megjithatë SPAK-u i vetëm s’mund ta bëj kurrë. Duhet të jemi të qartë për këtë punë. Është e padiskutueshme që ka nevojë edhe për strukturat e tjera shtetërore, ka nevojë edhe për policinë e shtetit.


Ne e kemi bashkëpunimin me policinë e shtetit. Ka nevojë për shërbimet informative, ka nevojë për shërbimet e inteligjencës, ka nevojë edhe për strukturat e hetimet  pasuror, të  tatimeve, të doganave, ka nevojë për kontrollin e lartë të shtetit apo edhe për strukturat e tjera. Në këtë sens ne kemi filluar si të themi një praktikë pune të shkëmbimit të informacionit diku duke lidhur marrëveshje, diku duke vendosur kontakte të drejtpërdrejta me qëllim të gjithë të shkëmbejmë informacion, informacion që ne na duhet për efekt të hetimit që ne kryejmë.