Sekretari i Përgjithshëm i Partisë Socialiste, Damian Gjikunri, duke folur paraditen e sotme për emisionin “Breaking” në Top News, tregoi për kandidatët që përfliten për zgjedhjet e 14 majit.

Gjiknuri u shpreh se PS është në proces konsultimi për kandidatët.

“Jemi në proces konsultimi. Është një garë e një ekipi të tërë politik. PS është shumë e organizuar. Po merret opinioni i qytetarëve për profilin e kandidatit që duhet.

Një pjesë e kryetarëve aktualë e meritojnë të rikandidojnë. Nuk i trembemi koalicionit opozitar, kemi vite që përballemi me të,” tha Gjiknuri.

Sekretari i PS gjithashtu zbuloi emrin që do të kandidojë në Shkodër.

“Kemi përballë një opozitë të përçarë me figura të ricikluara. Është një moment shumë i mirë edhe për Shkodrën. Kemi një kandidat serioz. Benet Beci është deklaruar si kandidat,” u shpreh ai.

Ndërsa po ashtu për Bashkinë e Elbasanit, Gjiknuri tha se fitorja nuk diskutohet.

“Gledian Llatja do të fitojë, nuk diskutohet fitorja e tij. Ndërsa nuk ka asnjë gjë zyrtare përsa i përket Bashkisë së Durrësit,” tha Gjiknuri.