Partia Socialite nuk humb kohë për të stabilizuar situatën kaotike në Bashkinë e Kukësit pas skandalit seksual të Safet Gjicit.
Teksa ish-kryetari i bashkisë Kukës, Safet Gjici, ka përfunduar në pranga dhe vijon përballjen me drejtësinë pas videoskandali seksual në zyrë, në selinë rozë kanë filluar përpjekjet për të gjetur një figurë të re e dinjitoze që do të përfaqësoj të parin e qytetit verilindor.
Bëhet me dije nga burimet për mediat se një ndër emrat më të lakuar dhe më potencial konsiderohet ai i prefektit Ali Hallaçi, i cili gëzon respekt dhe reputacion në komunitetin lokal. Kanë qënë të shumtë personalitetet dhe njerëz të thjeshtë të cilët këto ditë kanë shprehur mbështetjen e tyre për kandidaturën e Ali Hallaçi.
Hallaçi ka përfunduar studimet e Larta në Fakultetin e Filologjisë dhe Shkencave Humane, në Universitetin “JINAN”, Liban, në Tripoli, Republika e Libanit. Nga viti 2002 -2010 ka qenë Myftiu i Kukësit, 2014 Përgjegjës i Departamentit të Jetimëve dhe Ceshtjeve Sociale pranë zyrës së Organizatës Botërore të Ndihmave të Mbretërisë së Arabisë Saudite në Shqipëri, antare e ECOSOC (Këshillit Ekonomik dhe Social të Kombeve të Bashkuara UN).
2018 e në vazhdim Përkthyes Ligjor i Gjuhës Arabe pranë Ministrisë së Drejtësisë në Shqipëri. 2021-2022 Përkthyes për çështjet e azil-kërkuesve pranë UNHCR (Agjencisë së Kombeve të Bashkuara për Refugjatët) në Shqipëri. Data e zgjedhjeve vendore në Kukës nuk është përcaktuar ende por pritet që të mbahen mes datës 1 dhe 7 Tetor.