
Autoritetet hetimore shqiptare i kanë dërguar një letër-porosi palës italiane, duke i kërkuar që të vihet në dijeni me kontot bankare të biznesmenit Davide Peccorellit, italianit që u zhduk më 6 janar dhe që makina që udhëtonte ai u gjet e djegur në Pukë.
Pala shqiptare kërkon verifikimin e të gjitha transaksioneve bankare që ai mund të ketë bërë në muajt e fundit me shtetas shqiptar.
Po ashtu mbetet ende në pritje analiza e ADN-së, nëse mbetjet kockore në makinën që u gjet e djegur në Pukë i përkisnin apo jo biznesmenit italian, që kishte ardhur në Shqipëri për të investuar në fushën e qendrave estetike, dhe aparaturave me lazer.
Prokuroria shqiptare ka kërkuar po ashtu nga Italia që të merren në pyetje partnerët që Pecorelli kishte në biznes.
Davide Pecorelli mbërriti në Shqipëri në fillim të muajit janar për të investuar në fushën e hoteleri turizmit, por humbi kontaktet me të afërmit pak ditë më pas.
Sipërmarrësi italian ndodhej prej datës 4 janar në Pukë. Ai kishte prenontuar në një hotel për tre ditë, por në datë 6 nuk u paraqit për të fjetur. Automjeti tip “Skoda”, të cilin kishte marrë me qira në aeroportin e Rinasit u gjet i djegur në 8 janar në rrugën Gjegjan–Reps.
Hetuesit gjetën në mjetin e djegur eshtra si dhe sende të tjera, të cilat dyshohet se i përkasin biznesmenit. Mbetjet e trupit u dërguan për ekzaminim në laboratorin e kriminalistikës në Tiranë. Ndërsa mbetjet e gjetura pritet të krahasohen me ADN-në e të vëllait të italianit, Antonellos.