Teksa lufta në Ukrainë po vijon që prej 24 shkurtit të këtij viti, duket se morali i trupave ruse është i rënë dhe janë të pamotivuar për të vijuar luftimet.
Sipas burimeve nga mediat e huaja, ankesa ka pasur edhe në front për ushtarë që nuk pranojnë të ndjekin urdhrat.
Ndërkohë, Ukraina ka raportuar se është shtuar numri i ushtarëve të Putinit që po largohen nga fushëbeteja.
Ndonëse në nëntor Rusia kërcënonte me arrestime ata që nuk u bindeshin urdhrave, Ukraina raporton se ka shumë nga ata që kanë braktisur pozicionet.
“Për shkak të humbjeve të konsiderueshme të personelit, rajoni i Luhansk ka parë një rritje të rasteve të ushtarëve rusë që largohen nga pozicionet e tyre luftarak”, deklaroi Shtabi i Përgjithshëm i Forcave të Armatosura të Ukrainës.
Sipas tyre, kjo ka bërë që Rusia të rrisë ndjeshëm numrin e patrullave në mënyrë që të ndalojnë dezertimet.
“Për të ruajtur kontrollin e situatës, udhëheqja ushtarake ruse ka rritur numrin e patrullave për të ndaluar dhe kthyer dezertorët në njësi”, tha shtabi ukrainas.
Lajmi bëhet i ditur ndërkohë që Ukraina po vazhdon kundërsulmimin e saj në lindje të vendit në një përpjekje për të rimarrë zonat aktualisht nën kontrollin rus, duke përfshirë Luhansk.
Luhansk, Donetsk, Zaporizhzhia dhe Kherson janë katër rajonet ukrainase që Putin aneksoi zyrtarisht në shtator, me anë të një dekreti.
Por rajoni i Khersonit u rimor nga forcat ukrainase pas një kundërofensive të madhe pak javë më parë.