Kreu i partisë Demokratike Sali Berisha në “Foltoren” para kryeministrisë i bëri thirrje qytetarëve që të bashkohen masivisht në protestën e paralajmëruar për tu mbajtur më 10 shkurt.

Berisha akuzoi kryeministrin Rama se ka kthyer Shqipërinë, ‘në portën kryesore të trafikut të drogës’. Më tej nënvizoi se në protesta do të dalin deri në fitore.

“Ju përfaqësoni guximin, kurajën, vendosmërinë. I përshëndes të gjithë ata shqiptarë që lebetitën një regjim antishqiptar, një regjim armik të kombit. Me protestën e tyre dërguan në të katër anët e botës, mesazhin e qytetarëve shqiptarë që nuk pajtohen kurrë me një regjim që i plaçkit çdo ditë. Nuk pajtohen me regjimin që e ka shndërruar Shqipërinë në portën kryesore të helmeve të drogës. Kjo betejë është për dinjitetin tonë, dinjitetin kombëtar”, tha Berisha.