Drejtuesi politik i Koalicionit Euroatlantik, Lulzim Basha, ka zhvilluar ditën e sotme takime me fermerë në Divjakë dhe me qytetarë dhe biznese të vogla në Degën 2 në Tiranë.

Basha foli për programin e Koalicionit Euroatlantik, i cili parashikon 100 milionë euro subvencione në vit dhe 50 milionë euro për infrastrukturë, që sipas tij do t’u vij në ndihmë 150 mijë familjeve fermerësh. Ai tha se pa ngritur fermerin shqiptar, nuk ngrihet ekonomia dhe as mirëqenia.

“E vetmja gjë që kanë nevojë, është të kenë një qeveri që u jep dorën, jo t’ju japë shkelmin. Ka 12 vite fermeri i Divjakës, i të gjithë Shqipërisë, nuk merr asgjë. Shikojeni fermerin e Kosovës, shikojeni fermerin e Maqedonisë së Veriut.

Dhe vetëm po t’u japi dorën pak qeveria fermerit shqiptar, mirëqenia për fermerin shqiptar, për familjarët e tyre do të përkthehet në mirëqenie për konsumatorët në qyte, do përkthehet në rritje ekonomike për të gjithë Shqipërinë. Kështu që me planin tonë 100 milionë euro subvencione në vit, 50 milionë euro për infrastrukturën  që mos të përfundojnë me bombola gazi, por të kenë linja elektrike, të kenë karburantin, pesticidet, farat, fidanët, plehrat kimike të subvencionuara dhe akses në treg, 150 mijë familje fermerësh do të dalin nga varfëria. Pa ngritur bujësinë, pa ngritur fermerin shqiptar, nuk ngrihet ekonomia, as mirëqenia. Kështu që këtë bekim të zotit me një qeveri që do t’i japë dorën do ta kthejmë në bekim për të gjithë shqiptarët” – tha Basha.