Autoritetet britanike kanë arrestuar një bandë kriminale me bazë në Londër, e cila ndihmonte emigrantë shqiptarë të hynin ilegalisht në Mbretërinë e Bashkuar kundrejt pagesave të larta.

Nga operacioni janë vënë në pranga dy shqiptarë, Toni Liko, 42 vjeç, Klement Gjika, 44 vjeç, dhe një shtetas rumun, Stelian Bodnariu, 37 vjeç. Sipas hetimeve, grupi kërkonte deri në 11 mijë paund për çdo person që kalonte kufirin në mënyrë ilegale.

Pas përballjes me drejtësinë britanike, Toni Liko dhe Klement Gjika u dënuan secili me 5 vite e 8 muaj burg, ndërsa Stelian Bodnariu me 3 vite e 4 muaj.

Hetimet, të zhvilluara gjatë 18 muajve nga Metropolitan Police, zbuluan se të paktën 20 shtetas shqiptarë ishin kaluar në mënyrë ilegale në Londër, ndërkohë që autoritetet dyshojnë se numri i vërtetë mund të jetë shumë më i lartë.

Operacioni u realizua duke monitoruar lëvizjet e automjeteve, analizuar kamerat e sigurisë dhe përdorur metoda survejimi për të identifikuar drejtuesit e grupit. Arrestimet u kryen më 18 qershor të vitit të kaluar, ndërsa hetimet zbuluan mesazhe që tregonin koordinimin mes trafikantëve dhe shoferëve të kamionëve për transportin e emigrantëve ilegalë.