Rreth 11 protestues janë arrestuar mbrëmjen e djeshne gjatë protestës së PD, ndërsa janë shoqëruar 22 të tjerë. Raportohet se shoqërimet ndodhën gjatë momentit të hedhjes së fishekzjarreve në drejtim të godinës së Kryeministrisë nga protestuesit, pas përfundimit të fjalës së kreut të PD, Sali Berisha.

Opozita iu rikthye skenarit të vjetër në protestën e shtatë kombëtare, por me plan të ri nga policia. Menjëherë sapo Sali Berisha mbylli fjalën, nisi sulmi me molotovë e fishekzjarrë para Kryeministrisë. Mesazhi i Berishës ishte i qartë ndaj Ramës.

Reagimi i policisë ishte i menjëhershëm. Efektivët u përplasën me deputetët e opozitës, që qëndronin në vijën e parë të frontit, por edhe mbështetësit e pranishëm në shesh. Sasi e madhe uji, gazi lotsjellës dhe spray me piper u hodh ndaj protestuesve, ku disa prej tyre u lënduan, përfshirë dhe deputetë. Aulon Kalaja, Luçiano Boçi dhe një qytetar u morën me ambulancë, për shkak të problemeve shëndetësore nga gazi e spray.

Gazi i shpërndau nga Kryeministria, por turma nisi marshimin drejt Parlamentit. Përplasja e radhës ishte te Xhamia e Namazgjasë, ku efektivët bllokuan protestuesit të shkonin te Parlamenti, duke përdorur sërish ujë dhe gaz lotsjellës.

Të tjerë deputetë të opozitës, të cilët tentuan të çanin kordonin e policisë, mbetën të lënduar. Klevis Balliu u dërgua me urgjencë në spital. Me lëndime në fytyrë u shfaq edhe deputeti Flamur Noka, i cili sulmoi drejtuesit e policisë. Sali Berisha qëndroi larg betejës. E ndoqi përplasjen nga selia blu. Dënoi sulmet, por paralajmëroi vijim të aksionit, por pa dhënë datë. Në urgjencë, i lënduar nga përplasjet, përfundoi dhe një efektiv policie, ndërsa u shoqëruan në komisariat disa protestues.