Një 50-vjeçar shqiptar është arrestuar në Francë, pasi gjatë kontrollit të kamionit që drejtonte autoritetet zbuluan 114.6 kilogramë kokainë të fshehur në automjet.
Ndalimi u bë në pikën e pagesës së autostradës në Arles, gjatë një operacioni të zhvilluar në orët e para të mëngjesit, në natën mes 18 dhe 19 nëntorit.
Sipas mediave franceze, efektivët e doganës ndaluan pak pas mesnatës një kamion me targa italiane, i cili transportonte mallra për një rrjet tregtar. Gjatë kontrollit, ata zbuluan drogën e fshehur në mbajtësen e bobinave, pajisje që përdoret për stabilizimin e ngarkesave gjatë transportit.
Pas sekuestrimit të kokainës, shoferi u arrestua dhe iu dorëzua Zyrës Kundër Narkotikëve të Policisë Gjyqësore në Marsejë, ndërsa më pas u vendos në paraburgim.
Gjatë marrjes në pyetje, shqiptari ka mohuar të ketë pasur dijeni për ngarkesën e paligjshme, duke pretenduar se droga ishte vendosur në kamion pa dijeninë e tij.
Sipas raportimeve, 50-vjeçari nuk rezulton me precedentë penalë në Francë dhe nuk ka qenë më parë në radarët e drejtësisë.
Ai pritet të përballet me akuza për posedim, transport dhe importim të lëndëve narkotike, si dhe për shkelje të legjislacionit doganor lidhur me transportin e mallrave të ndaluara. Seanca gjyqësore është caktuar më 24 nëntor në Gjykatën e Tarasconit, përmes një procedure të përshpejtuar.
