Ambasada e Shteteve të Bashkuara në Tiranë ka bërë publik një postim për pjesëmarrjen e SPAK-ut në Konferencën Ndërkombëtare për Luftën kundër Drogave, të zhvilluar në Buenos Aires.

Në fokus ishte forcimi i bashkëpunimit ndërkombëtar kundër krimit të organizuar dhe koordinimi mes autoriteteve të vendeve të ndryshme.

Përmes OPDAT, Divizioni Penal i Departamentit të Drejtësisë të SHBA-së e përfshiu SPAK-un në një prej forumeve kryesore ndërkombëtare të sponsorizuara nga Shtetet e Bashkuara për luftën kundër organizatave kriminale ndërkombëtare.

Në Buenos Aires, drejtuesi i SPAK-ut mori pjesë në konferencën e organizuar nga Agjencia Amerikane Kundër Drogave, DEA, e cila shërben si forum për koordinimin dhe bashkërendimin e operacioneve kundër rrjeteve kriminale ndërkombëtare.

Në kuadër të konferencës, prokurorët e SPAK zhvilluan 12 takime të nivelit të lartë me homologë nga Shtetet e Bashkuara, Kolumbia, Ekuadori, Ukraina, Paraguai dhe Argjentina.

Takimet synuan forcimin e marrëdhënieve dhe koordinimit operacional mes institucioneve, me fokus shkëmbimin e informacionit dhe bashkëpunimin në përballjen me kërcënimet që lidhen me krimin e organizuar ndërkombëtar.

Sipas Ambasadës së SHBA-së, bashkëpunimi i krijuar përmes këtyre kontakteve synon të ndihmojë në përballjen me rrjetet kriminale që veprojnë përtej kufijve, në Europë, Amerikën Latine dhe Shtetet e Bashkuara.

Konferenca në Buenos Aires u zhvillua nën kuadër të IDEC40, forumit ndërkombëtar të DEA-s për koordinimin e autoriteteve në luftën kundër trafikut të drogës dhe organizatave kriminale ndërkombëtare.