Detaje të reja janë zbardhur nga atentati i rëndë në Sarandë, ku mbeti i vrarë 44-vjeçari Artan Myrtaj, i njohur si “Tani i Ruzhdiut”.
Në vendin e ngjarjes janë sekuestruar rreth 13 gëzhoja të kalibrit 9 mm, të cilat janë marrë si prova materiale për hetimin. Ndërkohë, policia ka marrë në pyetje rreth 20 persona që ndodheshin në zonën ku ndodhi atentati.
Një pjesë e rëndësishme e hetimit është fokusuar te kamerat e sigurisë në qytet. Sipas të dhënave paraprake, disa prej kamerave janë aksesuar dhe pamjet po analizohen, ndërsa për të tjera vijon puna për sigurimin e regjistrimeve.
Paralelisht, kontrollet janë shtuar në akset dalëse të Sarandës, ku janë ngritur postblloqe me qëllim identifikimin dhe kapjen e autorëve të dyshuar.
Mes pistave që po verifikohen nga grupi hetimor është edhe ajo e një atentati të porositur, ndërsa nuk përjashtohet mundësia që ngjarja të jetë e lidhur me një konflikt të mëparshëm.
Ky i fundit lidhet me një ngjarje të korrikut të vitit të kaluar, ku Ernest Lama dhe Gëzim Hajdaraj u plagosën me armë zjarri.
Megjithatë, deri në këto momente, hetuesit nuk kanë konfirmuar zyrtarisht një motiv të vrasjes dhe po vijojnë punën për zbardhjen e plotë të ngjarjes.
