Të paktën 13 persona kanë mbetur të vrarë ditën e sotme në dy incidente të ndryshme me bombë në provincën Balochistan të Pakistanit.
Zyrtari i lartë i policisë, Ghulam Ali Lashari tha se bomba e parë shpërtheu jashtë një tregu në qytezën Sibi, duke vrarë 10 persona dhe plagosur 24 të tjerë. Shpërthimi gjithashtu shkatërroi edhe disa dyqane.
Disa orë më vonë, rreth 200 km më larg, një tjetër bombë shpërtheu në rrugë si pasojë e të cilës u godit një makinë ku ndodheshin disa zyrtarë të policisë së qytetit Dera Bugti. Zyrtari lokal i policisë, Shehbaz Khan tha se sulmi la të vrarë tre zyrtarë të policisë dhe dy të tjerë të lënduar.
Askush ende nuk e ka marrë përgjegjësinë për sulmin, por në këtë rajon operojnë talebanët si dhe separatistët etnikë të Balochistanit.
11 tetor 2012 (gazeta-Shqip.com)