Një rast i rëndë që përfshin një të mitur ka alarmuar qytetin e Shkodrës.

Një 13-vjeçar akuzohet nga banorët e zonës se ushtron dhunë të vazhdueshme ndaj bashkëmoshatarëve të tij, por edhe ndaj të moshuarve, të cilëve u merr para dhe sende personale.

Denoncimi ka ardhur në redaksinë e emisionit investigativ “Fiks Fare” nga një nënë, e cila tregon kalvarin që po kalon djali i saj, nxënës në klasën e tetë. Sipas saj, i mituri që e kërcënon ka qenë më parë pjesë e të njëjtës shkollë, ku janë zhvilluar disa mbledhje me prindër për shkak të sjelljes problematike të tij.

Edhe pse është larguar nga ajo shkollë, ai vazhdon të qëndrojë pranë ambienteve të saj, duke krijuar sërish situata frike.

Nëna rrëfen se djali i saj jeton i terrorizuar, duke mos guxuar të dalë i vetëm nga shtëpia. Madje, babai është detyruar të lërë punën për ta shoqëruar çdo ditë në shkollë.

Frika ka ndikuar edhe në jetën sociale të fëmijës, i cili ka ndërprerë aktivitetet sportive dhe shmang çdo lëvizje pa praninë e prindërve. Sipas saj, 13-vjeçari e detyron djalin t’i japë biçikletën, e kërcënon dhe në disa raste e ka dhunuar fizikisht.

Pamjet e siguruara nga “Fiks Fare” e përforcojnë edhe më shumë këtë realitet. Në video shihet i mituri teksa dhunon një të moshuar, i rrëzon biçikletën, i hedh sendet në tokë dhe më pas i merr portofolin, duke u larguar pa asnjë pengesë.

Nga ana tjetër, nëna e 13-vjeçarit nuk pranon të japë shumë shpjegime, duke e justifikuar sjelljen e djalit me hiperaktivitetin. Ajo pohon se është në dijeni të shoqërimeve të tij në komisariat, por nuk jep përgjigje konkrete për situatën. Sipas saj, është kërkuar edhe ndihma e psikologëve në shkollë, por ndërhyrja ka qenë e kufizuar.

Edhe drejtuesit e shkollës ku aktualisht ndjek mësimin i mituri, pranojnë se ai ka pasur probleme me mungesat, por theksojnë se brenda ambienteve të institucionit sillet në mënyrë të rregullt.

Ndërkohë, burime nga policia bëjnë me dije se i mituri është referuar katër herë në prokurori brenda një periudhe 6-mujore për veprën penale “Vjedhje”.

Megjithatë, sipas legjislacionit në fuqi, konkretisht nenit 12 të Kodit Penal, individët nën moshën 14 vjeç nuk mbajnë përgjegjësi penale, çka e vështirëson ndërhyrjen ligjore. Përgjigja e prokurorisë në këtë rast është vetëm se çështja po hetohet.//TCH