14 vatra zjarri janë raportuar gjatë 10 orëve të fundit në vend, ndërsa 7 prej tyre vijojnë të jenë aktive, sipas informacionit të Ministrisë së Mbrojtjes. Në operacionet për izolimin dhe shuarjen e flakëve janë angazhuar forca të shumta të emergjencave civile dhe të Forcave të Armatosura. Përmes koordinimit të Agjencisë Kombëtare të Mbrojtjes Civile, prefekturave dhe njësive vendore, në terren po operojnë 29 automjete zjarrfikëse, 246 forca operacionale, 90 efektivë të FA-së, një helikopter dhe një avion “Air Tractor” i Forcës Ajrore.

Situata më problematike paraqitet në fshatrat Riban dhe Ngraçan në bashkinë Mallakastër, ku zjarri ka marrë përmasa dhe po punohet për të penguar afrimin e flakëve drejt zonave të banuara. Në këtë operacion janë angazhuar forca zjarrfikëse nga disa bashki, 35 forca bashkiake, 40 efektivë të Forcave të Armatosura dhe avioni “Air Tractor”. Në zonën e Dajtit vijon puna për shuarjen e zjarrit, ku po ndërhyjnë forcat e MZSH-së, Administrata e Zonave të Mbrojtura, 50 efektivë të FA-së dhe një helikopter i Forcës Ajrore. Sipas Ministrisë së Mbrojtjes, nuk ka rrezik për zonat e banuara.

Në qarkun Elbasan vijon ndërhyrja në vatrat e zjarrit në Shqiponjë, malin e Dardhës dhe fshatin Mjekës. Zjarret në Shqiponjë dhe Mjekës janë nën kontroll dhe nuk raportohet rrezik për banorët.