Policia greke arrestoi një nxënës 14-vjeçar shqiptar, i cili po mbante një thikë, teksa qëndronte jashtë një shkolle në Selanik.
Ndalimi u bë ditën e sotme dhe sipas autoriteteve, mund të kenë parandaluar një krim të mundshëm, edhe pse i mituri dëshmoi se e mbante për vetëmbrojtje. Arma e ftohtë sipas hetuesve, ishte bërë prej xhami, me gjatësi 20 centimetra. 14-vjeçari, i cili është nxënës në shkollën e mesme, ishte me dy shokë të tij jashtë shkollës, kur policia e pikasi atë.
“Policia kontrolloi çantën e shpinës së të miturit dhe zbuloi se ai mbante me vete një thikë qelqi të improvizuar, afërsisht 20 centimetra të gjatë. Ai dyshohet se i tha policisë se e kishte me vete për vetëmbrojtje”-, informon media në fjalë.
Policia arrestoi 14-vjeçarin për shkelje të ligjit për armët. Një padi u ngrit kundër tij dhe ai do të çohet para prokurorit kompetent. Pas arrestimit dhe veprimeve hetimore, ai u la të hetohet në gjendje të lirë për shkak të moshës.




