Drejtoria Vendore e Policisë Tiranë ka reaguar pas një njoftimi nga Komiteti Shqiptar i Helsinkit, sipas të cilit një 14-vjeçar është dhunuar gjatë qëndrimit në Komisariatin Nr. 1.
Ngjarja ka ndodhur më 12 prill 2025, kur adoleshenti u shoqërua nga Policia, pasi dyshohej se kishte hedhur lëndë piroteknike në zonën e Liqenit Artificial, duke shkaktuar shqetësim te banorët. Ai u procedua në gjendje të lirë për prishje të qetësisë publike.
Pas ankesës së prindërve se djali ishte dhunuar nga efektivët e policisë, është nisur një hetim i brendshëm disiplinor ndaj tre punonjësve të komisariatit: dy inspektorë dhe një nënkomisare.
Po ashtu, Agjencia e Mbikëqyrjes Policore ka çuar çështjen në Prokurori për hetim penal, ndërsa ka nisur edhe një hetim administrativ për të verifikuar nëse efektivët kanë shkelur detyrat e tyre.
Policia e Tiranës thekson se do të trajtojë me seriozitet këtë rast dhe do të bashkëpunojë me institucionet përkatëse për zbardhjen e plotë të ngjarjes dhe ndëshkimin e çdo shkeljeje.
NJOFTIMI:
Reagim i Drejtorisë Vendore të Policisë Tiranë
Në lidhje me një njoftim të Komitetit Shqiptar të Helsinkit, sipas të cilit gjatë qëndrimit në ambientet e Komisariatit të Policisë Nr. 1, është dhunuar një i mitur i ndaluar, sqarojmë.
Me datë 12.04.2025, shërbimet e Komisariatit të Policisë Nr. 1 kanë shoqëruar në ambientet e këtij komisariati, 14-vjeçarin që pretendon se është dhunuar, mbi dyshime se kishte hedhur lëndë piroteknike, në zonën e Liqenit Artificial, veprim i cili ishte njoftuar nga banorët e zonës, pasi ishte shkaktuar panik dhe shqetësim te ta. Për këtë shtetas Policia referoi materialet në Prokurori, ku u vendos procedimi i tij në gjendje të lirë, për veprën penale “Prishja e qetësisë publike”. Për këtë rast është dhënë njoftim në përmbledhjen ditore të qarkut Tiranë, më datë 13.04.2025.
Në bazë të pretendimeve të prindërve të të miturit, se ai është dhunuar gjatë qëndrimit në ambientet e Komisariatit, me urdhër të Drejtorit të Drejtorisë Vendore të Policisë Tiranë, me datë 13.04.2025, ka nisur ecuri disiplinore, për shkelje të rëndë, për:
-Inspektor D. M., oficer i Patrullës së Përgjithshme të Komisariatit të Policisë Nr. 1;
-Inspektor R. D., oficer i Patrullës së Përgjithshme të Komisariatit të Policisë Nr. 1;
-Nënkomisare Xh. B., specialiste e Seksionit të Patrullës së Përgjithshme dhe Rendit të Komisariatit të Policisë Nr. 1.
Gjithashtu, Agjencia e Mbikëqyrjes Policore, me datë 15.04.2025,ka referuar materialet në Prokurori, me qëllim hetimin penal të 3 punonjësve të Policisë, për veprat “Kryerja e veprimeve arbitrare” dhe “Dëmtime të tjera me dashje”.
Ndërkohë, Drejtoria e Standarteve Profesionale, me urdhër të Drejtorit të Përgjithshëm të Policisë së Shtetit, ka nisur menjëherë një hetim administrativ, për të verifikuar nëse 3 punonjësit e Policisë kanë shkelur kompetencat dhe detyrimet që iu caktojnë rregullorja e Policisë së Shtetit dhe procedura standarde e punës.
Theksojmë se strukturat e Policisë së Shtetit dhe ato të Policisë së Tiranë janë maksimalisht të angazhuara për të dokumentuar me prova ligjore rrethanat e këtij rasti dhe për të reaguar shpejt, me paanësi dhe konform ligjit, për nxjerrjen përpara përgjegjësisë penale, të përgjegjësve.
