Kryeministri Edi Rama ka rikujtuar ngjarjet e protestës së 21 janarit, duke theksuar se ndërhyrja e policisë me gaz lotsjellës e ktheu situatën në një kaos, duke e bërë protestën të dalë jashtë kontrollit.
Ai ka shtuar se, megjithë tensionet, protestuesit nuk tentuan të kalonin gardhin e godinës së Kryeministrisë dhe nuk u gjetën prova për praninë e armëve në radhët e tyre.
“Kujtoj se bashkë me Pandeli Majkon dhe disa të tjerë po kalonim urën e bulevardit për të ardhur këtu, një autoblind u shfaq dhe një valë gazi lotsjellës u lëshua mbi kokat e njerëzve pa nisur ende protesta, duke na zmbrapsur nga parku Rinia. Kjo e ktheu protestën në një lëmsh kaotik, duke na detyruar të ktheheshim në selinë e partisë.
Protesta doli jashtë kontrollit. Vatrat e zjarrit u ndezën, protestuesit nuk tentuan të kapërcenin gardhin e godinës së Kryeministrisë, veç një veturë që u filmua duke hyrë në portën anësore të hekurit. Askush nga protestuesit nuk bëri përpjekje për të shkelur perimetrin e sigurisë dhe të futej brenda në godinë. Asnjë pamje filmike nuk nxori në pah praninë e një arme në radhët e protestuesve”, u shpreh Rama.
