Mjeku kirurg Fitim Shini ka dhënë detaje në lidhje me 15-vjeçarin që u plagos me thikë pas një sherri me bashkëmoshatarët në Durrës. Ai tregoi se i mituri ka marrë 4 goditje me thikë dhe një prej tyre i ka prekur zemrën, duke shkaktuar gjendjen e rëndë. 15-vjeçari ndodhet i intubuar në reanimacion dhe situata mbetet kritike.
“Për momentin pacienti ndodhet në reanimacion, i intubuar dhe gjendja vazhdon të jetë e rëndë. Shpresoj që në 24/48 orët e ardhshme gjendja të stabilizohet dhe të dalë nga reanimacioni.
Fëmija erdhi në urgjencë me disa plagë, 4 plagë në rajonin e gjoksit, ku njëra prej tyre depërtonte në zemër dhe ka shkaktuar gjendjen e rënduar. Aktualisht ka marrë 3 flakone gjak dhe për momentin gjendja vazhdon të jetë e rëndë në reanimacion. Shpresojmë që në orët në vijim situata të përmirësohet.”– tha mjeku.
15-vjeçari u plagos pas në sherri me disa bashkëmoshatarë. Ata ishin konfliktuar fillimisht në rrjetet sociale e më pas u takuan bashkë me shokët e tyre. Në sherr u përdorën thika, por dhe shkopa bejsbolli. Autori i dyshuar është një 14-vjeçar, i cili ende nuk është ndaluar nga policia.



