Është arrestuar në Abu Dhabi Altin Sinomati, shqiptari i akuzuar si porositësi i vrasjes së Selavdi
Shehajt.
Sinomati ra në prangat e policisë së Emirateve të Bashkuara Arabe, pasi ishte në kërkim ndërkombëtar nga Italia. Ai akuzohet se ka paguar 150 mijë euro Raul Esteban Calderon në mënyrë që të ekzekutonte Selavdi Shehajn. Krimi i rëndë ka ndodhur në plazhin Torvaianica në, Itali më 20 shtator të vitit 2020.
Për krimin në fjalë, Calderon si autor dhe Giuseppe Molisso si bashkëpunëtor janë dënuar tashmë me burgim të përjetshëm në shkallën e parë nga Gjykata e Krimeve të Rënda e Frosinone-s.
Sinomati, në një çështje tjetër penale, akuzohet se ishte pjesë e një prej kanaleve kryesore të furnizimit me kokainë të organizatës që vepronte në Romë dhe drejtohej nga Molisso dhe Leandro Bennato, e cila u shpërbë nga Komanda Provinciale e Karabinierëve të Romës në një operacion të kryer më 18 mars 2025.