Policia e Elbasanit ka publikuar pamjet nga operacioni antidrogë që u zhvillua sot në qarkun e Elbasanit.
Blutë sqaruan se 16 persona janë të arrestuar, 8 prej të cilëve ishin kapur më herët gjatë hetimeve njëvjeçare dhe 8 në kërkim. Sipas njoftimit, janë kryer 27 kontrolle, dhjetëra sekuestrime, mes tyre edhe 9 kg drogë, peshore elektronike, 7 makina dhe të tjera.
Operacioni u zhvillua nga Sektori për Hetimin e Narkotikëve dhe Trafiqeve të Paligjshme në DVP Elbasan, në drejtimin e Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Elbasan, me mbështetjen e Forcës Kombëtare të Sigurisë, Njësia Fier. Në kuadër të operacionit, Prokuroria e Elbasan ka lëshuar gjithsej 24 urdhra ndalimi.
Sakaq, Strukturat e Hetimit të DVP Elbasan, nën drejtimin e Prokurorisë Elbasan, vijojnë punën për dokumentimin e plotë ligjor të kësaj veprimtarie kriminale, si dhe për kapjen e shtetasve të shpallur në kërkim.
