Dy të mitur të moshave 16 dhe 17 vjeç janë kapur nga policia e Vlorës me 10 doza kokainë dhe një sasi kanabis.

Ata u kapën në lagjen “Pavarësia” dhe gjatë kontrollit fizik, 17-vjeçarit iu gjetën dozat e kokainës në çantë dhe në mbajtësen e kufjeve, kurse kanabisi në xhep.

Ai u vendos në pranga, kurse 16-vjeçari është nën hetim në gjendje të lirë

Materialet hetimore iu referuan Prokurorisë Vlorë.

Njoftimi i policisë:

Shpërndanin kokainë dhe kanabis te adoleshentët, vihet në pranga një 17-vjeçar dhe procedohet në gjendje të lirë një 16-vjeçar.

Sekuestrohen në cilësinë e provës materiale 10 doza kokainë dhe një sasi kanabisi.

Në vijim të punës për parandalimin dhe goditjen e veprimtarisë kriminale në fushën e narkotikëve, shërbimet e Forcës së Posaçme “Shqiponja”, bazuar edhe në informacionet e siguruara për dy adoleshentë që mund të shpërndanin lëndë narkotike, kanë ushtruar kontrolle në akset kryesore dhe në disa zona të qytetit.

Si rezultat i këtyre kontrolleve, mbrëmjen e djeshme, në lagjen “Pavarësia”, në Vlorë, u ndaluan dhe u kontrolluan fizikisht dy adoleshentë që ishin të dyshuar si shpërndarës të lëndëve narkotike.

Gjatë kontrollit ndaj shtetasit 17-vjeçar, në çantën e tij (marsup) dhe në mbajtësen e kufjeve, u gjetën 10 doza të mbështjella me qese plastike, të dyshuara si lëndë narkotike e llojit kokainë, ndërsa në xhep iu gjet një sasi e dyshuar lënde narkotike e llojit kanabis, e mbështjellë me letër alumini.

Në përfundim të veprimeve procedurale, specialistët për Hetimin e Narkotikëve në DVP Vlorë arrestuan në flagrancë 17-vjeçarin D. M., si dhe proceduan në gjendje të lirë 16-vjeçarin.

Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë Vlorë për veprën penale “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve”.