Si sot plot 20 vite më parë ndodhi grabitja më e madhe në historinë e Britanisë së Madhe me protagonistë edhe dy shqiptarë. Ngjarja ndodhi në zonën e Kentit, në jug të Anglisë, ku u vodhën plot 53 milion stërlina nga të cilat 32 milion nuk u gjetën kurrë.
Dy të rinjtë nga Tropoja, Jetmir Bucpapa dhe Ermir Hysenaj, luajtën një rol të rëndësishëm në këtë grabitje në depon e parave e cila i përkiste Bankës së Anglisë.
Sipas prokurorit, Hysenaj ishte i punësuar në depon ku sistemoheshin paratë dhe bëheshin gati për t’i çuar nëpër automatet e bankave. Ai u quajt gjatë procesit gjyqësor si “inside man” ose njeriu i brendshëm i grupit që realizoi grabitjen e vlerësuar nga gjykatësi çështjes si e “realizuar me një disiplinë ushtarake”.
Hysenaj me një kamera të fshehtë filmoi hyrje daljet dhe sistemet e alarmit të depos. Po ashtu, u gjet edhe një hartë e shkruar prej tij me të dhëna për planimetrinë e depos. Të dhënat iu kaluan bashkëpatriotit të tij, Jetmir Bucpapa i cili punonte roje sigurie në lokalet e natës të zonës Kent dhe kishte njohje me njerëz të fuqishëm të krimit të organizuar në këtë zonë. Bucpapa dhe Hysnaj pas vuajtjes së dënimit të dy janë dëbuar në Shqipëri.
Banda rrëmbeu menaxherin e depos, Colin Dixon, ndërsa ai po shkonte në punë, ndërkohë që gruaja dhe djali i tij u rrëmbyen veçmas në shtëpinë e familjes, në orët që paraprinë grabitjen. Pas një gjyqi në vitin 2007, Stuart Royle, Roger Coutts, Lea Rusha dhe Jetmir Buçpapa u dënuan të gjithë me burgim të përjetshëm për rolin e tyre në grabitje.


