Rreth 200 mijë dosje rezultojnë të mbartura dhe ende të pashqyrtuara në Gjykata e Apelit, ndërsa proceset civile në disa raste zgjasin mbi 10 vite, duke ngritur shqetësime serioze për funksionimin e sistemit gjyqësor.

Avokatë dhe përfaqësues të sistemit ligjor vlerësojnë se reforma dhe harta e re gjyqësore nuk kanë dhënë efektet e pritura. Sipas tyre, vonesat e mëdha po ndikojnë drejtpërdrejt në të drejtën e qytetarëve për një proces të shpejtë dhe efikas.

Ata kërkojnë jo vetëm shtim të numrit të gjyqtarëve në apel, por edhe krijimin e të paktën dy gjykatave të reja apeli në vend, për të lehtësuar ngarkesën aktuale.

Në terren, situata paraqitet e rënduar, ku vetëm një avokat raportohet se ka rreth 200 dosje në pritje shqyrtimi në apel. Kjo gjendje, sipas tyre, po krijon një ngërç të gjatë në dhënien e drejtësisë dhe po zgjat pritjen e qytetarëve për zgjidhjen e çështjeve të tyre ligjore.