Gjyqi


Katër ekspertët kërkojnë që të përgatiten para se të përgjigjen me shkrim


Ish komandanti i Gardes, Ndrea Prendi dhe avokati i tij Genc GjokutajProcesi gjyqësor i 21 janarit, ku të akuzuar janë ish-shefi i Gardës së Republikës, Ndrea Prendi, shoferi i tij, Margarit Kume, dhe gardisti Agim Llupo, ka vijuar me marrjen e provave të palës mbrojtëse. Në seancën e radhës ishin thirrur nga Genc Gjokutaj, avokati i Ndrea Prendit, për të dëshmuar ekspertët mjekoligjorë dhe balistikë, të cilët kanë bërë akt-ekspertimet për vrasjen e Faik Myrtajt. Ekspertët e Mjekësisë Ligjore, Elmaz Shaqiri, dhe Admir Sinamati, do të japin sqarime për palën mbrojtëse në lidhje me këndin e hyrjes së predhës, në trupin e viktimës dhe çfarë përfaqëson ky kënd. Gjithashtu, ata do të përgjigjen edhe për drejtimin e predhës dhe nëse këto karakteristika përcaktonin apo jo, që plumbi në trupin e viktimës kishte hyrë poshtë-lart. Një tjetër pyetje e ngritur nga Gjokutaj në drejtim të ekspertëve ishte nëse mund të bëhej përcaktimi i distancës së qitjes. Ekspertët kanë kërkuar që këtyre pyetjeve t’u përgjigjen me shkrim dhe se kanë nevojë që të konsultohen. Procesi ka vijuar me marrjen në pyetje edhe të ekspertëve balistikë, Nikolin Duraj dhe Shpëtim Huda, të cilët do t’u përgjigjën në të njëjtën mënyrë, me shkrim. Pyetjet, të drejtuara nga Gjokutaj, kanë lidhje me marrjen e provave materiale në vendin e ngjarjes. Ai ka kërkuar të dijë nëse armët e marra si prova janë marrë në mënyrë individuale apo jo dhe karakteristikat e përcaktuara në aktin e ekspertimit mjaftonin për të identifikuar armët. Ndërkaq, pala mbrojtëse ka hequr dorë nga pyetja e ekspertes Artemida Bushaj. Seanca gjyqësore është shtyrë për javën e ardhshme, ku pritet që ekspertët të japin detaje dhe të sqarojnë më shumë lidhur me akt-ekspertimet e bëra. S.M.