Në kuadër të hetimeve për dosjen e masakrës së “21 janarit”, Prokuroria e Posaçme ka dërguar për ekspertizë të gjithë materialin e komunikimit në radio në kanalin e Gardës së Republikës më 21 janar 2011 ku katër protestues u vranë në Bulevardin “Dëshmorët e Kombit” gjatë qeverisjes Berisha.
Mark Nika, xhaxhai i Aleks Nikës, një prej 4 të vrarëve nga armët e shtetit, thotë se ky hap duhet të ishte marrë nga SPAK shumë kohë më parë, dhe të mos e mbanin kasetën në sirtar.
“Që në fillim Prokuroria nuk kreu veprimet hetimore të urdhëruara nga Gjykata e Lartë dhe ajo e Strasburgut. E mbajti çështjen 1 vit e gjysmë në sirtar me pretendimin se ku e mori gazetari kasetën. Në thelb duhet të jetë a është përmbajtja e saktë. Ky ekspertim është shumë i thjeshtë për t’u kryer. Për mua e kanë çuar qëllimisht ta zvarrisin”,- tha Mark Nika.
Xhaxhai i Aleks Nikës dyshon se drejtësia shqiptare synon të mos dënojë shkaktarin e vërtetë të 4 vrasjeve shtetërore, por aktorë dytësorë në masakrën e 21 janarit 2011.
“Ne nuk duhet të lejojmë kurrë që kjo çështje të mbyllet me pafajësi, po kthim për hetim në Prokurorinë e Tiranës. Ata duan të kanalizojnë hetimin me fajtor një gardist dhe mos të merren me urdhëruesin e kësaj çështjeje. Me sa shoh unë, kanë frikë. Sali Berisha e ka pranuar që vrasjet janë kryer nga shteti, por ka thënë nga pakujdesia. Kush ishte komandant në ato momente? Ndrea Prendi, i cili ka komunikuar në radio në momente me kryetarin e qeverisë”,- tha Mark Nika.
SPAK po heton 4 vrasjet e protestuesve në bulevard prej gati 2 vitesh, që prej 15 korrikut 2024 kur regjistroi çështjen pasi Gjykata e Lartë urdhëroi nisjen e hetimeve. Që nga ai momenti SPAK ka marrë në pyetje një sërë ish-zyrtarësh të lartë të shtetit që ishin në detyrë në kohën e ngjarjes. Para prokurorëve janë paraqitur ish-presidenti Bamir Topi, ish-ministri i Brendshëm Lulzim Basha, si dhe ish-presidenti Ilir Meta, i cili është marrë në pyetje me kërkesë të tij. Ish-kryeministri Sali Berisha, po ashtu, pas një përpjekje të dështuar për të zvarritur dëshminë e tij, u paraqit në SPAK më 19 nëntor të vitit të kaluar. Që prej atij momenti asnjë zhvillim i ri nuk është komunikuar nga Prokuroria e Posaçme.
