Gazetari Artan Hoxha ka dhënë detaje lidhur me marrjen e tij në pyetje nga prokurorët e posaçëm, duke zbuluar se është përballur me një proces intensiv dhe të zgjatur hetimor.
Në një intervistë televizive, ai u shpreh se është pyetur në mënyrë të përsëritur dhe deri në kufijtë maksimalë ligjorë, kryesisht në lidhje me burimin e materialit audio dhe personin që ka realizuar përgjimin. Sipas tij, prokurorët kanë këmbëngulur që ai të japë informacion mbi këto elemente, të cilat ai nuk ka pranuar t’i bëjë publike.
Hoxha theksoi se refuzimi për të zbuluar burimin e informacionit e vë atë përballë rrezikut të një dënimi deri në një vit burg, një pasojë që ai deklaroi se e ka marrë tashmë në konsideratë si një mundësi reale.
“Kur kemi të bëjmë me çështje të rëndësishme, legjislacioni shqiptar ka parashikuar një mënyrë tjetër të marrjes së burimit. Sepse unë jam gazetar dhe kemi një Kod Etike, për mbrojtjen e burimit.
Prokuroria ka kërkuar burimin, por ai që ka bërë regjistrimin I ka bërë një shërbim shumë të madh vendit sepse ka rrëzuar vendimet e gjykatave të tjera, ka thënë ja që vrasjet janë bërë me urdhër.
Duke qenë se kjo shërben si zanafilla e rihapjes së çështjes kërkohet burimi. Personat e përfshirë në vrasjet janë elita politike e vendit.
Prokurorët kanë këmbëngulur në maksimum sa i lejon ligji por unë emrin nuk e jap sepse nuk kam besim.
Fati i keq ma la mua në kurriz ta mbaj këtë barrë.
Nëse unë nuk e them burimin, i jep mundësi SPAK që t’i drejtohet gjykatës. Në një seancë sekrete, mes një gjyqtari, prokurori dhe meje, më detyron mua të tregoj burimin.
Prokuroria thotë që ngjarja është shumë e rëndë, unë jam para një situate që është vërtetë jo e lehtë. Unë i kam marrë parasysh pasojat që kur kam denoncuar.
Çështja vërtetë është e një rëndësie të veçantë por është shumë e rëndësishme ruajtja e burimit. Betejë për herë të parë me legjislacionin në këtë aspekt.
Nëse unë nuk e tregon burimit, legjislacioni parashikon deri në 1 vit burg.
Ndaj them që në vend të autorëve në burg të përfundojë gazetari. Duke parë ç’ka ndodhur në të kaluarën, është shumë e rrezikshme të japësh burimin. Tani jemi para faktit a mund ta marrë gjykata vendimin për dënimin tim? Po, por unë nuk e jap burimin, mund të krijojë precedent. Nëse ne detyrohemi të japim burimet na cënohet besueshmëria”, tha ai.
