Një 21-vjeçare romune është raportuar e zhdukur që nga dy marsi, në Itali. Hetimet për zhdukjen e paparitur të saj janë fokusuar tek prostitucioni. I dyshuari kryesor në lidhje me këtë ngjarje është një shqiptar, pasi pak ditë më parë ai e kishte kërcënuar të renë. Mediat italiane shkruajnë se denoncimi për humbjen e saj është bërë nga shoqja e saj, me të cilën ndante dhomën. Në dhomën e Elenës, u gjetën një triko leshi që 21-vjeçarja kishte veshur atë ditë dhe disa kilometra më larg u gjet edhe telefoni i saj.

38-vjeçarja romune tregoi për autoritetet se së bashku me Elenën kishin mbërritur në Itali  rreth tre muaj më parë, ku dhe kishin marrë me qira një apartament në Canosa di Puglia, në veri të Barit. Ato kishin filluar të punonin si punëtorë bujqësorë. Pas disa javësh ata kishin vendosur të transferoheshin në Foggia me synimin për të prostituuar në rrugën shtetërore 16 që të çon nga kryeqyteti Daunian në San Severo, për të fituar para shtesë.

Më 27 shkurt, teksa Elena ndodhej nën një urë në kryqëzimin për në Manfredonia, një shqiptar dyshohet se e ndaloi, e ngacmoi dhe tentoi ta tërhiqte në makinë. Menjëherë pas kësaj, shqiptari u kthye, duke kërkuar para nga të dyja që t’i lejonte të vazhdonin të prostituonin aty, duke u paraqitur edhe në ditët pasuese dhe duke përsëritur kërcënimet dhe kërkesat për para.

Ai kishte kërkuar 150 euro çdo tre ditë nga secila prej tyre. Herën e fundit që shoqja e Elenës e pa ishte të dielën e 1 marsit, një ditë para zhdukjes së 21-vjeçares, kur shqiptari i kishte kërkuar të punonte për të, ofertë që 38-vjeçarja e kishte refuzuar menjëherë. Policia italiane po heton më shumë mbi rastin dhe po kontrollon zonën, në mënyrë që të gjejë gjurëm të 21-vjeçares së zhdukur.