Pano Ruçi, babai i Denis Ruçit që ndërroi jetë në aksidentin tragjik në Tempi, vijon prej 22 ditësh grevën e urisë.
Ai ka folur sot ekskluzivisht për “Shqipëria Live” duke treguar se kërkon zhvarrosjen e trupit të të birit dhe kryerjen e analizave për të zbuluar nëse trupi është i Denisit. Po ashtu, ai kërkon të zbulohet cila ishte arsyeja që i biri vdiq. Ai paralajmëroi se nëse këto dokumente publikohen, qeveria greke rrezikon të bjerë.
“Kërkesa ime ende nuk është aprovuar plotësisht. Unë kërkoj analizat komplet për të zbuluar i kujt është trupi dhe si ka vdekur. Sigurisht që do e vazhdoj grevën deri në fund. Kam një grup mjekësor që vjen 3 herë në ditë. Ka orë që nuk ndihem mirë por kam akoma fuqi. Kryepeshkopi i Greqisë më tha se më mbështet dhe se lutet për mua. Shumë shqiptarët e Greqisë vinë këtu dhe më japin kurajo. I falënderoj të gjithë. Familjarët po më mbështesin. Edhe djali im është këtu me mua. Edhe djali im atje lart më mbështet. Ministrit të Shëndetësisë greke i them se njerëzit që po më ndjekin e dinë çfarë po bëj dhe në çfarë gjendje jam. Ata mund të bëjnë analiza e çfarë të duan dhe do e dinë nëse unë po ha apo jo. Unë dua vetëm të vërtetën për djalin tim të ndjerë. Pres përgjigje nga qeveria greke sepse po më mashtrojnë çdo ditë.
Djali im ka dy vite e gjysmë që ka vdekur. Kërkoj të di pse nuk më japin analizat e trupit, se përse vdiq djali im. Nëse del përgjigjia se përse vdiq djali im dhe ata të rinjtë e tjerë, qeveria greke bie. Vinë dhe familjarë të viktimave të tjerë dhe më japin mbështetje dhe më ndihmojnë me veprimet e tjera proceduriale.
Ndjej shumë lodhje por nuk e lë. Do i shkoj deri në fund. Çdo ditë këtu shoh njerëz që mblidhen dhe protestojnë dhe më mbështesin mua. I falënderoj shumë të gjithë. Qeverisë greke i them nuk iki që këtu, do vazhdoj të qëndroj deri sa të marr letrat që kërkoj”– tha Ruçi.