Prej 23 vitesh, “Fiks Fare” emisioni i parë investigativ në historinë e televizioneve shqiptare, mbetet zëri më i fuqishëm i denoncimit publik.
Një format që prej fillimit sfidoi heshtjen, duke vënë përballë përgjegjësisë pushtetet dhe çdo formë abuzimi. Që nga dita e parë e transmetimit, “Fiks Fare” u shndërrua në dritaren e qytetarëve të zakonshëm, duke evidentuar padrejtësi, korrupsion, shkelje të ligjit dhe abuzime me detyrën.
Investigimet e tij tronditën institucione, çuan në shkarkime, hetime penale dhe sollën zgjidhje konkrete për mijëra qytetarë. Jehona e denoncimeve të “Fiks Fare” ka kaluar kufijtë e ekranit.
Investigimet, faktet e dokumentuara dhe dëshmitë e drejtpërdrejta kanë prodhuar reagime të menjëhershme publike dhe institucionale, duke e kthyer emisionin në një faktor të jashtëzakonshëm ndikimi në shoqëri. Suksesi i “Fiks Fare” qëndron tek këmbëngulja, profesionalizmi dhe guximi për të thënë të vërtetën dhe për të qenë në krah të së drejtës dhe qytetarëve.
Një format që mban ndezur dritën e transparencës edhe aty ku institucionet kanë dështuar. Investigimet e “Fiks Fare” nuk kanë njohur kufij dhe as hierarki pushteti. Nga zëri i qytetarit të zakonshëm, i pambrojtur përballë padrejtësisë, deri te zyrat më të lartë e shtetit.
Kamerat e emisionit kanë ekspozuar abuzime dhe përgjegjësi duke shkuar edhe në majat e shtetit, për të treguar se përballë fakteve nuk ka karrige që të mbron.
Në 23 vite transmetim, “Fiks Fare” ka ndërtuar besim, ka fituar respektin e publikut dhe ka lënë gjurmë të pashlyeshme në historinë e medias shqiptare, duke mbetur një referencë për gazetarinë investigative.
Në përvjetorin e 23-të, “Fiks Fare” mbetet po aty ku e nisi: i pari në investigim, në krah të qytetarëve, në shërbim të së vërtetës dhe në mbrojtje të interesit publik.
