Një 24-vjeçare ka përfunduar në spital pasi është rrëzuar nga dritarja e pasme e një taksie në zonën e Mulletit, në Tiranë. Ngjarja ka ndodhur në orët e para të mëngjesit të 15 nëntorit 2026.
Sipas informacioneve të raportuara nga gazetarja e Top Channel, Dorjana Bezat, e reja po udhëtonte me taksi së bashku me një shoqen e saj 23-vjeçare. Automjeti drejtohej nga një 47-vjeçar, ndërsa dyshohet se të tre kishin konsumuar alkool.
Në një moment gjatë udhëtimit, 24-vjeçarja dyshohet se ka dalë pjesërisht nga dritarja e pasme e automjetit për të realizuar një video. Por situata ka marrë një kthesë të papritur, pasi ajo ka humbur ekuilibrin dhe është rrëzuar, duke pësuar dëmtime.
Pas incidentit, policia ka ndërhyrë duke ndaluar drejtuesin e taksisë, 47-vjeçarin me iniciale J. S. Ndërkohë, është proceduar penalisht edhe pasagjerja tjetër, L. T., 23 vjeçe, e dyshuar për veprat penale të pengimit të zbulimit të së vërtetës dhe dhënies së deklaratave të rreme.
Në njoftimin zyrtar, policia konfirmon se e dëmtuara, e identifikuar me inicialet P. V., ka rënë nga dritarja e pasme e taksisë dhe aktualisht ndodhet në spital, ku po merr ndihmën e nevojshme mjekësore.
Autoritetet vijojnë hetimet për të zbardhur dinamikën e plotë të ngjarjes dhe për të përcaktuar përgjegjësitë e personave të përfshirë.
