Gjatë 24 orëve të fundit janë raportuar 25 vatra zjarri në vend, pjesa më e madhe e të cilave janë shuar. Aktualisht, pesë vatra mbeten aktive, ndërsa një zonë tjetër vijon të jetë në monitorim. Sipas ministrisë së Mbrojtjes në operacionet për shuarjen e zjarreve janë angazhuar 37 automjete zjarrfikëse dhe 365 forca operacionale. Në mbështetje të tyre kanë qenë 158 efektivë të Forcave të Armatosura, të cilët kanë ndërhyrë me 10 mjete dhe katër helikopterë të Forcës Ajrore.

Në Mallakastër, pas disa ditësh operacione intensive, zjarret në Riban, Ngraçan, Panahor dhe Çyçen janë shuar plotësisht. Në Drenie, bashkia Patos, është evidentuar një riaktivizim në thellësi të pyllit dhe strukturat operacionale po vijojnë punën.

Në Krujë, vijon angazhimi i forcave në lagjen Abaze dhe në zonën Krastë–Halil. Në Abaze, pavarësisht përhapjes së favorizuar nga era, aktualisht nuk ka rrezik për zonat e banuara. Në Krastë–Halil, në orët e para të mëngjesit u angazhuan 2 helikopterë të Forcës Ajrore, të cilët ndërhynë për të frenuar përhapjen e zjarrit dhe për të mbështetur forcat operacionale në terren. Pas ndërhyrjes nga ajri, situata u normalizua dhe puna vijon për kontrollin dhe shuarjen e plotë të vatrës. Në dy vatrat e Krujës janë angazhuar në total 4 helikopterë të Forcës Ajrore.

Në Priskë e Madhe, bashkia Tiranë, vijon puna për vënien nën kontroll të vatrës. Nuk ka rrezik për zonat e banuara. Ndërkohë, zjarri në Cikallesh, bashkia Kavajë, është shuar plotësisht, ndërsa Dajti vijon të mbahet në monitorim. Në Vilëz, bashkia Kurbin, dhe në Kallmet të Vogël, bashkia Lezhë, zjarret janë shuar plotësisht. E njëjta situatë paraqitet edhe në Goraj–Budishë, bashkia Malësi e Madhe, ku vatra e zjarrit raportohet e shuar.

Në malin e Nëmerçkës, bashkia Përmet, vatra nuk paraqet rrezik për zonat e banuara.