25 vite histori. Rreth 600 profesionistë. Mijëra orë përmbajtje dhe një audiencë që shtrihet përtej kufijve shqiptarë.
Nga Top Channel e Top News, tek radiot, DigitAlb dhe platformat dixhitale, u mblodhën të gjithë së bashku në një natë feste.
Një mbrëmje që, në vitin e 25-vjetorit, u kthye në një kremtim të historisë, të njerëzve dhe, mbi të gjitha, të ambicies për të ardhmen.
“Ja ku jemi. 25 vjet më vonë. Dhe, për ndonjë arsye që vazhdon t’i habisë disa, ne nuk po bëhemi më të vegjël. Po bëhemi më të mëdhenj. Në një kohë kur shumë njerëz kanë humbur besimin tek e ardhmja, ne vazhdojmë të investojmë në të. Kur mediat tërhiqen, ne po hedhim hapin tjetër. Kur të tjerët pyesin çfarë duhet të kursejnë, ne pyesim çfarë mund të krijojmë. Dhe unë e kuptoj pse kjo duket e çuditshme. Sepse shpesh njerëzit përpiqen t’i kuptojnë zgjedhjet tona me mënyrën e tyre të të menduarit. I matin me interesat e tyre. Me frikërat e tyre. Me kufijtë e tyre. Me atë që do të kishin bërë vetë në vendin tonë. Dhe sigurisht që nuk u dalin llogaritë”, u shpreh Lori Hoxha, drejtuesja e Top Channel.
Në një vit sfidues për median, mesazhi i drejtueses së grupit, Lori Hoxha, ishte edhe një deklaratë për vlerat dhe bindjet mbi të cilat është ndërtuar Top Channel.
“Si ia shpjegon dikujt vlerën e diçkaje që për ty nuk ka çmim? Si ia shpjegon bindjen dikujt që në çdo vendim kërkon një marrëveshje? Si ia shpjegon lirinë dikujt që e sheh gjithçka si një shkëmbim? Nuk mundesh”, tha drejtuesja e Top Channel, Lori Hoxha.
25 vite pas themelimit nga Dritan Hoxha, një trashëgimi që mbetet në themel të identitetit të Top Channel dhe të vizionit për të ardhmen.
“Në një botë ku pothuajse gjithçka mund të blihet, të shitet, të negociohet, ne kemi ende gjëra që nuk pranojmë t’u vendosim çmim. Besimin. Ndërgjegjen. Lirinë për të bërë punën tonë. Emrin që mbajmë dhe atë duam të mbrojmë. Dhe nuk kemi nevojë që të gjithë ta kuptojnë menjëherë. Koha do ta tregojë”, u shpreh drejtuesja e Top Channel.
Por mbi të gjitha, kjo ishte një mbrëmje për njerëzit e Top Channel, për kulturën dhe standardet që bashkojnë breza profesionistësh
“Prandaj, sot e them pa asnjë hezitim. Po. Top Channel është një familje. Jo sepse jemi të njëjtë. Por sepse, kur vjen momenti për të zgjedhur mes asaj që është e lehtë dhe asaj që është në lartësinë e standardit tonë, ne e njohim njëri-tjetrin nga zgjedhja. Dhe kjo është arsyeja pse ju besoj kaq shumë. E di çfarë lloj njerëzish jeni. Dhe për këtë, ju falënderoj. Ju falënderoj që nuk kënaqeni kollaj. Që nuk prisni gjithmonë prej meje t’ju them çfarë është e drejtë. Që dini të më kundërshtoni, por keni besim tek unë edhe kur nuk jemi dakord. Sepse unë nuk dua të drejtoj një kompani njerëzish që mendojnë si unë. Dua të drejtoj një kompani njerëzish që kanë po aq guxim sa unë për të menduar ndryshe”, tha drejtuesja e Top Channel, Lori Hoxha.
Një traditë që këtë vit erdhi pak më vonë, por me një besim të pandryshuar: 25 vitet e para janë vetëm fillimi.
“Ka një shprehje që e kemi dëgjuar shpesh. Kush e ka Topin? Dhe po. Topin e kam unë. Madje më pëlqen ta kem. Por çdo ditë, në çdo studio, në çdo redaksi, në çdo program, unë jua pasoj juve. Jo sepse nuk di çfarë të bëj me të. Por sepse e di shumë mirë çfarë mund të bëjmë bashkë. Ju dua shumë. Faleminderit që më besoni”, përfundoi drejtuesja e Top Channel, Lori Hoxha.
