Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, ka reaguar pas deklaratave të kryeministrit Edi Rama për protestën e zhvilluar nga qytetarët, duke e cilësuar atë si një moment që kreu i qeverisë po e përjeton si një “Vaterlo” politike. Në një videomesazh, Berisha tha se protesta masive para Kryeministrisë ishte një ngjarje historike dhe sipas tij përbën një goditje të fortë politike për qeverinë. Lideri i opozitës i bëri thirrje Ramës të largohet nga detyra dhe të përballet me drejtësinë.

“Edi Rama duket se protestës së gjysmë milioni shqiptarëve dhe rrethimit të ngjeshur të mëngjesit, de facto rënien e Bastijës, e ka përjetuar si një fushëbetejë të mbushur me kufoma, kafka, gjymtyrë, plëndës e zorrë njerëzish dhe kuajsh, si Vaterlonë e tij. Ky gjysmë i prishur nga protesta epike e gjysmë milionë shqiptarëve të mbledhur nga të katër anët e Shqipërisë dhe të katër anët e dheut, në fakt kërcënoi protestuesit me masakra dhe me përgjakje, me histori vrasjesh e të tjerë.

Me këtë rast, meqenëse ka përdorur një personazh të Stendalit për narrativën e tij, do t’i përgjigjem se për Vaterlonë ka me qindra personazhe nga rreshter në Feldmareshall, romantik si Fabricio, por midis të gjithë atyre Edi Rama është si vëlla siamez vetëm me njërin prej tyre: me rreshterin Tenardie të Viktor Hygoit, i cili nuk luftonte, por vidhte të plagosurit dhe u shkulte dhëmbët e florinjtë. Një lloj si Tenardie, Edi Rama, vjedh dhe ka vjedhur këtë kohë popullin më të varfër. Ka vjedhur votën, vjedh fondet, vjedh kafshatën, vjedh librat e shkollës, vjedh ilaçet e të sëmurëve, vjedh pasuritë publike sikur të ishte një kolonizator, vjedh shpresën, rininë e shqiptarëve. Ndaj dhe thirrja ime: largohu sa më parë nga detyra dhe prit verdiktin e drejtësisë, e cila vonon, por nuk harron“-, tha ai.

Në podkastin e kësaj të diele, Rama përdori si metaforë personazhin Fabrice del Dongo nga romani i Stendalit, për të folur mbi rrezikun e krijimit të bindjeve mbi iluzione dhe informacione të paverifikuara. Ai iu drejtua qytetareve duke u thënë që të mos bëhen peng i iluzioneve.