Arjan Dumi, shefi i Komisariatit Përmet në një përgjigje për ZËRI ka dhënë detaje në lidhje me hetimin që po kryhet sa i përket ngjarjes së rëndë ku tre persona rezultojnë të zhdukur në dy vite pa asnjë gjurmë. Konkretisht Agron Çumani është parë për herë të fundit para 3 ditësh në segmentin e vjetër të rrugës Përmet-Lëshicë dhe prej atëherë asgjë nuk dihet për fatin e tij. Në të njëjtën zonë, dy persona të tjerë, Niko Dhimitri dhe Filip Kristidhi, kanë humbur gjurmët prej dy vitesh, pa u gjetur asnjë shenjë, as nga familjarët, as nga komuniteti, dhe as nga autoritetet policore.
Dumi njofton se në lidhje me rastet janë angazhuar katër grupe kontrolli të pajisur me drone për kërkimin dhe shpëtimin e personave të shpallur të humbur.
“Jemi te angazhur plotesisht si komisarjat Policie ,kemi ngritur 4grupe kontrolli te paisur me drone secili grup per kerkim shpetimin e personit te shpallur te humbur ,dhe energjencat e bashkis jan te angazhura, per pjesen tjeter te hetimit jemi duke punuar per te dekumentuar rast pas rasti, qendroni ne kontaket ju lutem me zdhensen ne DVP Gjirokaster”-shpreht Dumi për ZËRI.
Ndërkohë burime të tjera për ZËRI raportojnë se rastet nuk kanë lidhje me njëra-tjetrën, duke njoftuar se Agron Çumani, i vuante nga skleroza. Dyshimet janë se tre personat mund të jenë hedhur në lumin Vjosë. Situata alarmante ka ngritur shumë pyetje tek banorët e zonës, teksa pritet që hetimi i nisur të ketë një rezultat.
