Këtë të premte në Gjykatën e Posaçme është zhvilluar seanca gjyqësore ndaj Plaurent Dervishajt dhe Julian Meçajt, të cilët akuzohen për organizimin e sulmit të armatosur ndaj ish-prokurorit Arjan Ndoj.

Në cilësinë e dëshmitarit është paraqitur Erjon Alibej, i njohur si dëshmitar i drejtësisë në këtë çështje. Deklarimet e tij pritet të jenë kyçe për zbardhjen e rrethanave të atentatit që tronditi opinionin publik dhe strukturat e drejtësisë.

Seanca e sotme konsiderohet një ndër më të rëndësishmet në këtë proces, ndërsa hetimet për sulmin ndaj Ndoj vijojnë të thellohen, mes dyshimeve për lidhje të ngushta mes botës së krimit dhe segmenteve të sistemit të drejtësisë.

Dëshmia e Erjon Alibejt: 

“Gjatë vitit 2019 kam jetuar në Elbasan. Plaurent Devishajn e njoh, Julian Meçajn jo.

Dervishajn e njoh se ma ka mundësuar një takim me anë të një shoku të ngushtë asaj kohe.

Di që ka një fabrike cigaresh në Librazhd. Plaurenti ka qenë bashkë me një shokun e tij, mbase mund të ketë qenë një Çekiçi që kam pa në televizor.

Në atë kohë kam qenë në kërkim. Në atë kohë Arben Laze ka pasur një “Tuareg”, më ka marrë dhe jam ulur mbrapa, kam shkuar te fabrika e cigareve. Kur kam dalë që kemi mbaruar drekën jemi takuar bashkë, Plaurenti ka pasur një “BMW” të blinduar.

Edmond Çekiçin nuk e njoh, por e kam dëgjuar në media. Me Plaurentin kam diskutuar për hallet që më kishin rënë. Arsyeja e takimit ishte për të më ndihmuar se kush ishin personat që kishin sulmuar familjen time.

Plaurentin e thirrnin “Lenti”, thërritej si shoku. Në atë kohë kam pas “Encrochat” pastaj me “Sky ECC”. Plaurenti përdorte emrin “Barcelona”, por edhe “Ghost”.

Në lidhje me atentatin ndaj Plaurentit i kam çuar të dhëna për ngjarjen.

Mbaj mend që me thonin se atentatin ja kishin bërë Lul Berisha, edhe i thashë Plaurentit “gjykoje vetë”.

Plaurentit i kam dërguar një foto të një personi me mbiemrin Kabashi dhe e kishte shtëpinë në Durrës.

Kam pasur një punonjës policie në Elbasan që më ndihmonte për këto të dhëna.

Me këtë punonjës komunikoja me “Encrochat” dhe e paguaja. Rimbushjen e bëja unë 600 euro.

Redjan Rrajën e kam dëgjuar në televizor, nuk e kam pas njohur. Kam bërë një bisedë me Plaurentin për Redjanin. Plaurenti lëvizte shpesh Holandë – Durrës, etj.

Mbas atentatit të Ndojt ishte Plaurent Dervishaj dhe kisha biseduar me të për këtë ngjarje.

Pasi iu bë sulmi ndaj Ndojës, personat që kishin bërë atentatin kishin lënë prova, syze, etj.

Bisedë e sipër i them Plaurentit “pse ndodhi kështu?”. “Po pres një përgjigje për t’i fshirë provat”, – më thotë Plaurenti. Më kanë kërku 300 mijë euro për të fshirë provat e atentatit.

Po diskutoja me Plauretin se prokurori Ndoja shkonte te një lokal në Gjirë të Lalzit. Fliste që ka marrë vesh info dhe po përgatiten për ta goditur Prokurorin me sniper nga një mal në distance.

Kurse Rrumin nuk e llogariste fare Plaurenti. Thoshte “është mbyll në shtëpi”. Ai hallin e kishte te prokurori.