Ditën e sotme shënohet 35-vjetori i themelimit të Partia Demokratike dhe në selinë blu kanë nisur përgatitjet për këtë datë të shënuar.
Në fasadën kryesore të godinës është vendosur një banderolë e madhe, në të cilën shfaqet imazhi i Sali Berishës, pa themeluesit e tjerë të saj. Krahas fotos shkruhet dhe “Faleminderit!”. Vetë Berisha shkruajti në rrjetet sociale se “Partia Demokratike u lind si lëvizje për liri dhe demokraci”, ndërsa sot në orën 18:00 e përkujton këtë ditë në selinë blu.
Partia Demokratike e Shqipërisë u krijua në dhjetor të vitit 1990 nga një grup studentësh dhe intelektualësh shqiptarë midis të cilëve Azem Hajdari, Sali Berisha, Gramoz Pashko, Arben Imami, Aleksandër Meksi, Eduard Selami etj. Kryetar i Komisionit Nismëtar të Partisë Demokratike u zgjodh studenti Azem Hajdari. Me vonë, kryetar i Partisë Demokratike u zgjodh Sali Berisha.




