“Jemi në këtë rrugëtim këtu në Berat në një stacion që unë vij me dëshirë gjithmonë, sepse është një nga shëmbëlltyrat më të forta të transformimit. Qytetarët e këtij qyteti na besuan mandatin tonë të parë, e kujtoj shumë mirë edhe rrugën time të parë në Berat kur u zgjodha kreu i PS-së. Kur kam ardhur për herë të parë ishte një rrugë jashtëzakonisht e vështirë. Faktikisht nuk kishte rrugë, ju e dini më mirë se unë dhe për shumë vite rruga që lidh beratin me kthesën e Lushnjës ishte problem më i madh i qytetarëve të Beratit. Sot Berati është vendi që ka shënuar si një dallëndyshe e parë kthesën e trendit të ikjeve dhe ardhjeve.
Në Berat më shumë kthehen sesa largohen nga vendi. Kjo lidhet me faktin se në Berat njerëzit që duan të ndërtojnë një ekonomi familjare e gjejnë rrugën. E paimagjinueshme sot që më të rinjtë e kësaj familjeje të imagjinojnë një vend si ai ku një pjesë e jona ka jetuar, ka jetuar në një kohë kur demokracia na thuhej që kishte ardhur por në fakt kishte vetëm një ekran shtetëror që transmetonte e pushtetin, dhe kur opozita atëherë dilte për pak sekonde dhe vetëm me pamje jo me zë.
Ndërkohë PS-ja në territor ishte forca e një grushti njerëzish me një mbështetje patjetër në bazë por me shumë pak numra kur ishte fjala për tu shfaqur si përfaqësues i PS-. Nuk kishte PS ku të rrinte, njerëzit e PS përndiqeshin me libër shpie dhe e gjithë opozita në Shqipëri kishte vetëm një burim informimi, gazeta e cila përfundoi e djegur. Duken të paimagjinueshme sot por kjo ishte Shqipëria që PS mori përsipër që kur ranë piramidat, mashtrimi më i madh i bërë një populli, dhe përpinë të gjitha kursimet e shqiptarëve”, tha Rama.
