Detaje të reja janë zbardhur nga aksidenti i trefishtë që i mori jetën 37-vjeçarit Gjin Bzhangaj mesditën e sotme në aksin “Shkodër – Lezhë”.
Siç shihet edhe nga pamjet, mjeti që Gjin Bzhangaj drejtonte është bërë copash në të gjitha anët, duke i shkaktuar ai lëndime të rënda që më pas i shkaktuan edhe vdekjen. Nga aksidenti mbetën të plagosur edhe bashkëshortja dhe dy fëmijët e tij të mitur.
Sipas të dhënave paraprake, një kamion i drejtuar nga 42-vjeçari me iniciale T.K. dyshohet se ka humbur kontrollin dhe është përplasur fillimisht me një furgon dhe më pas, me makinën që drejtohej nga 37-vjeçari Gjin Bzhangaj.
Njoftimi i policisë:
Shkodër / Informacion paraprak
Rreth orës 14:50, në aksin rrugor “Shkodër – Lezhë”, ka ndodhur një aksident rrugor ku janë përfshirë tre automjete.
Shtetasi T. K., 42 vjeç, duke drejtuar kamionin e tij, dyshohet se ka humbur kontrollin mbi drejtimin e automjetit dhe si pasojë automjeti është përplasur fillimisht me automjetin me drejtues A. S., 63 vjeç, dhe më pas është përfshirë në aksident edhe automjeti me drejtues shtetasin Gj. B., 37 vjeç.
Si pasojë e përplasjes, ka ndërruar jetë në Spitalin Rajonal Shkodër shtetasi Gj. B., ndërsa janë dëmtuar bashkëshortja e tij, shtetasja J. B., 32 vjeçe, dhe dy fëmijët e mitur, pasagjerë në të njëjtin automjet. Të dëmtuarit ndodhen jashtë rrezikut për jetën.
Grupi hetimor vijon punën për zbardhjen e plotë të rrethanave dhe përcaktimin e shkakut të aksidentit.








