Zhvillimet që pasuan protestën dhe marshimin drejt aeroportit të Rinasit kanë sjellë përçarje dhe akuza të forta mes vetë pjesëmarrësve, të cilët po debatojnë mbi drejtimin që mori tubimi dhe personat që ndikuan në vendimmarrje gjatë mbrëmjes së djeshme.
Lëvizja e turmës nga qendra e qytetit drejt aeroportit “Nënë Tereza” është kthyer në pikën kryesore të diskutimeve. Disa protestues kanë shprehur dyshime se orientimi i marshimit nuk ishte spontan, por mund të jetë ndikuar nga persona të caktuar që ndodheshin mes pjesëmarrësve. Sipas pretendimeve të ngritura, disa individë të paidentifikuar, të cilët dyshohet se u prezantuan si punonjës policie, mund të kenë luajtur rol në drejtimin e protestuesve jashtë itinerarit fillestar.
Pas mesnatës, protestuesit u grumbulluan në afërsi të mbikalimit të Rinasit dhe më pas vijuan lëvizjen drejt aeroportit. Përballë kësaj situate, policia vendosi masa të shtuara sigurie dhe ngriti barriera për të penguar afrimin e turmës në perimetrin e aeroportit. Gjatë gjithë kohës, autoritetet u bënë thirrje pjesëmarrësve të mos bllokonin rrugën dhe të shmangnin situata që mund të cenonin qarkullimin normal.
Pas përfundimit të protestës, një nga pjesëmarrëset, Irini Myftaraj, publikoi një video në rrjetet sociale ku hodhi akuza të drejtpërdrejta ndaj aktivistit Gent Progni. Sipas saj, ai ka ndikuar në mënyrë të qëllimshme që protesta të zhvendosej drejt Rinasit, duke devijuar objektivin fillestar të lëvizjes.
Myftaraj pretendon se pjesëmarrësit kishin dalë në protestë me synimin për të shprehur pakënaqësitë e tyre në mënyrë paqësore dhe se nuk ekzistonte asnjë plan për përplasje me forcat e rendit apo për tensionimin e situatës.
Në deklaratat e saj, ajo ngriti pikëpyetje edhe mbi organizimin e të gjithë aktivitetit, duke shprehur dyshime për mënyrën se si ishte menaxhuar protesta që nga fazat e para të saj. Sipas protestueses, disa veprime dhe vendime të marra gjatë organizimit kanë krijuar paqartësi dhe mosbesim mes pjesëmarrësve.
Debati vazhdon të jetë i pranishëm në rrjetet sociale, ku mbështetës dhe kritikë të protestës po diskutojnë mbi atë që ndodhi gjatë marshimit, ndërsa akuzat dhe kundërakuzat mes personave të përfshirë kanë shtuar polemikat rreth organizimit dhe qëllimeve të vërteta të lëvizjes.
“Ne po kthehemi nga Rinasi, ku u ndam aty shumë paqësisht. U udhëhoqëm për të ikur aty nga Gent Progni, i cili tani bën këto skemat tipike të një tradhëtari, që medemek na tërhoqi dikush tjetër. Kemi bërë tre orë rrugë, për të ardhur deri këtu. Dhe po bëjmë prap për tu kthyer sepse ne nuk kemi qëllim për të sulmuar as policnë dhe asnjë. Të gjithë e dinë që kjo protestë është paqësore, por siç e dimë gjithashtu se ka shumë si Gent Progni dhe shumë si këta. është në dorën tuaj të zgjidhni se kë bësoni, është në dorën tuaj të zgjidhni se kush është i drejti. Që te ngritja e atij podiumi çdo gjë ka qenë e dyshimtë, që po Gent Progni e ngre, dhe pa tjetër që do përdori manipulimin, duke thënë që unë kam qenë gjithmonë me ju. Po po, patjetër, por kush është i zgjuar e di shumë mirë, që kjo lëvizje sot ishte tipike e një tradhëtari,” thotë protestuesja në video.
