Obama kryeson ndjeshëm mes votave sakaq të hedhura, por gara mbetet e hapur
Votat para ditës së votimit të hedhura për zgjedhjet presidenciale në SHBA mund të arrijnë deri në 40 për qind të të gjitha votave këtë vit, për herë të parë në një fushatë zgjedhore në këtë vend, bën të ditur “Reuters”, duke iu referuar sondazheve të publikuara së fundmi. Sondazhet tregojnë gjithashtu, se Presidenti aktual, Barack Obama, zotëron një avantazh të konsiderueshëm mes votuesve të hershëm përballë sfidantit republikan Mitt Romney.
Të dy kandidatët u kanë kërkuar mbështetësve të vet jo vetëm të votojnë, por edhe të shkojnë të votojnë para ditës së zgjedhjeve, veçanërisht në shtetet kyçe ku pritet të përcaktohet edhe fituesi i 6 nëntorit. Për të shmangur radhët në ditët e votimit, shumë shtete kanë ofruar forma të ndryshme të votimit para ditës së zgjedhjeve. Sondazhet mes njerëzve që thonë se kanë votuar sakaq e paraqesin Obamën në krye në shumë shtete. Fushata e Presidentit për votat e hershme doli e suksesshme në vitin 2008, pasi në këtë mënyrë është shmangur mbingarkesa me punë e vullnetarëve dhe aktivistëve të tij në ditët e fundit para zgjedhjeve. Duke skarcuar besnikët që kanë votuar më herët, stafi elektoral ka mundësi të përqendrohet te votuesit indiferentë apo ata të pavendosur.
Mes votave të hershme, Obama ka 54 për qind, ndërsa Romney ka vetëm 39 për qind, sipas një sondazhi të “Reuters”. Kampioni është 960 vetë dhe ka një marzh gabimi plus ose minus 3.5 për qind.
Rreth 18 për qind e votuesve të regjistruar sakaq e kanë hedhur votën. Të dhënat tregojnë se rreth një e katërta e votuesve nga minoritetet, si dhe gati një e pesta mes të bardhëve e ka hedhur sakaq votën e vet. Allison Gilmore votoi gjatë pushimit të saj të drekës në Arlington, Virxhinia. Si shumë ata që kanë votuar herët, ajo besonte se mund të ishte e zënë me punë në ditën e zgjedhjeve.
“Nuk e di se sa e zënë do të jem me punë atë ditë dhe dua të jem e sigurt se do ta hedh votën time”, tha Gilmore, 35 vjeç, duke refuzuar të deklarojë se për kë votoi. Një votuese tjetër në Ohajo tha se ka votuar paraprakisht përmes postës. “Është më e rehatshme”, tha votuesja 74-vjeçare. “Ata e kanë zhvendosur qendrën e votimit shumë blloqe më tutje dhe nuk është më brenda një distance që mund të përshkruhet në këmbë.”
Votimi paraprak filloi në disa shtete që në shtator dhe tashmë ka filluar në pothuajse të gjitha shtetet, qoftë përmes postës, qoftë përmes votimit direkt. Analistët parashikojnë se këtë vit këto vota mund të arrijnë në 35-40 për qind të të gjitha votave, një rekord ky në historinë e zgjedhjeve.
“Në disa shtete kyçe, votuesit paraprakë janë edhe më shumë se kaq”, thotë Michael McDonald, një profesor i shkencave politike në Universitetin George Mason në Virxhinia. Sipas tij, në shtetet kyçe të Iouas dhe Ohajos, të dhënat flasin për një votim më masiv të hershëm se sa në 2008-n.
Arsyeja kryesore e rritjes së votuesve të hershëm është se republikanët qenë kapur pa mendje nga taktika e suksesshme e Obamës në vitin 2008 dhe u përpoqën këtë herë të rifitojnë terrenin e humbur këtë herë. Të dyja palët shpenzuan shumë kohë nëpër gjykata, duke luftuar mbi ligjet për votat e hershme në shtete si Florida dhe Ohajo dhe demokratët akuzojnë republikanët se dëshirojnë të kufizojnë votimet e hershme në mënyrë që të mos lejojnë klasën punëtore dhe minoritetet të marrin pjesë në zgjedhje. Në fund, Ohajo lejoi votimet e hershme për të gjithë, deri në prag të zgjedhjeve, ndërsa Florida uli numrin e ditëve gjatë së cilave lejohet kjo formë votimi.