Dalja nga shtrati e lumit Seman këtë të diel ka shkaktuar dëme të mëdha për fermerët dhe banorët në zonën e Mbrostarit.

Njëri nga banorët, në një prononcim për mediat, tha se rrjedha e lumit i ka marrë me vete 40 qingja, ndërsa një pjesë e bagëtive të tjera kanë ngordhur për shkak të përmbytjeve.

Ai theksoi situatën e vështirë në të cilën ndodhet dhe i bëri apel shtetit për ndihmë të menjëhershme.

 “Jemi përmbytur, kërkojmë ndihmë nga shteti. S’kemi as misër, asgjë, na u mbytën të tëra. Qengjat më ngordhën, 40 qengja m’i mori lumi, të tjerët ngordhën. Ja, filmoji qengjat ku i ke. Kam marrë 40 qengja. As ndihmë, asgjë. Tani nuk e dimë çfarë do të bëjmë, këto duan të hanë, tagji s’kanë. Të paktën të na bjerë bazë ushqimore se s’kemi ku të shkojmë. Duam bazë ushqimore”, thotë banori.

Një tjetër banor thotë se i është shkaktuar një dëm prej 12 milionë lekësh dhe se gati 20 lopë që ndodhen në stallë nuk mundet t’i nxjerrë.

“Nga dëmi që patëm në nëntor, më është bërë dëm shumë. Kam investuar këtu rreth 12 milionë lekë që kam bërë rrugën këtu dhe pula, bar, koncentrat, asnjëri s’na ka dhënë ndihmë asgjë. Janë 20 lopë brenda, s’kam nga t’i nxjerr”, thotë ai.