Një 40-vjeçar ka humbur jetën këtë të enjte pasi dyshohet se pësoi arrest kardiak gjatë kohës që po punonte në një kantier ndërtimi në Durrës.

Viktima është identifikuar si Euglent Lamçe. Sipas informacioneve paraprake, ai ka humbur ndjenjat gjatë punës në një kantier në lagjen nr. 4 të qytetit.

40-vjeçari u transportua me urgjencë drejt spitalit, por nuk arriti t’i mbijetojë, duke ndërruar jetë gjatë rrugës ose pak pas mbërritjes, pavarësisht përpjekjeve të mjekëve.

Dyshohet se temperaturat e larta të ditëve të fundit, të kombinuara me problemet shëndetësore dhe punën në kushte të vështira, mund të kenë ndikuar në përkeqësimin e gjendjes së tij, ndërsa paraprakisht dyshohet për një atak kardiak.

Policia njoftoi se grupi hetimor, nën drejtimin e Prokurorisë, po vijon veprimet për të përcaktuar shkakun e saktë të vdekjes dhe për të zbardhur plotësisht rrethanat e ngjarjes.