Një aksident i rëndë në punë është regjistruar këtë të hënë në Sarandë, ku një 44-vjeçar ka mbetur i plagosur rëndë pasi ka rënë nga lartësia gjatë punës.
Sipas burimeve zyrtare, i dëmtuari është Besnik Lika, banues në Sarandë. Ngjarja ka ndodhur në lagjen nr. 4, ku 44-vjeçari po kryente punime për riparimin e çatisë së një objekti, kur dyshohet se ka humbur ekuilibrin dhe ka rënë nga soleta.
Ai është transportuar fillimisht me urgjencë në Spitalin e Sarandës, ku mjekët konstatuan se kishte pësuar dëmtime të rënda në shtyllën kurrizore. Sipas bluzave të bardha, Lika ka pësuar frakturë në vertebrën torakale T8, dëmtim që i ka shkaktuar paralizë të gjymtyrëve të poshtme.
Për shkak të gjendjes së rëndë shëndetësore dhe nevojës për trajtim të specializuar, mjekët vendosën transportimin e tij me helikopter drejt Spitalit të Traumës në Tiranë, ku do të vijojë të marrë ndihmën mjekësore.
