Dhjetëra banorë të fshatit Ferras, në bashkinë Fier, po përballen me pasojat e rënda të përmbytjeve të shkaktuara nga dalja nga shtrati e lumit Vjosë. Pas tërheqjes së ujit, familjet kanë nisur pastrimin e banesave dhe oborreve nga llumi dhe mbetjet, ndërsa dëmet materiale janë të konsiderueshme.
Shtëpitë kanë qëndruar nën ujë për më shumë se 48 orë, ndërkohë që banorët denoncojnë mungesën e ndihmës dhe të pranisë së institucioneve përgjegjëse. Sipas tyre, deri në këto momente nuk ka pasur shpërndarje ushqimesh apo veshmbathjeje, duke i lënë familjet të përballen vetë me situatën e krijuar.
Një banor i zonës shprehet se kjo është hera e tretë që shtëpia e tij përmbytet, ndërsa ndihma e marrë në raste të mëparshme ka qenë minimale. Ai shton se ekziston shqetësimi se ndihmat mund të shpërndahen edhe për familje që nuk janë prekur nga përmbytjet.
Banorët e fshatit Ferras kërkojnë ndërhyrje emergjente nga institucionet shtetërore, mbështetje me ndihma bazë dhe zgjidhje afatgjata për të shmangur përsëritjen e situatave të tilla. Ata theksojnë nevojën për investime të menjëhershme në infrastrukturë dhe për forcimin e argjinaturave të lumit Vjosë, pasi rreziku i përmbytjeve mbetet i lartë sa herë që ka reshje të dendura shiu.
