Berisha: Liria jonë, e ngurosur në gjakun e dëshmorëve. Rama: Ëndrra e atyre që ranë për liri, nuk është bërë ende realitet


 


Klasa politike shqiptare sërish e ndarë në ceremoninë përkujtimore të 5 Majit, Ditës së Dëshmorëve. Me një diferencë kohore të konsiderueshme mazhoranca dhe opozita kanë shmangur njëra-tjetrën në homazhet në nder të të rënëve në monumentin “Nënë Shqipëri”. Kryeministri Berisha ka qenë i pari që ka vendosur një kurorë me lule në përkujtim të veprës së atyre që sakrifikuan jetën dhe rininë e tyre për lirinë dhe dinjitetin kombëtar. Ai shoqërohej nga Kryetarja e Kuvendit, znj. Jozefina Topalli, Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Lulzim Basha, ministra të kabinetit qeveritar, Prefekti i Tiranës Keltis Kruja. Pas homazheve Berisha është shprehur për mediat se 5 Maji i këtij viti, që përkon edhe me 100 vjetorin e Pavarësisë, i gjen shqiptarët më të sigurt se kurrë, pas hyrjes në NATO dhe pas marrjes së liberalizmit të vizave. “Secili prej tyre që prehet sot në flamurin e kombit, kur vështron kombin e tij, i cili 100 vjet më parë përpëlitej midis ekzistencën e mos – ekzistencës së tij si shtet, sheh sot një Shqipëri anëtare të NATO-s, një Shqipëri që rend me ritmet më të shpejta, për të kapur dekadat e pse jo, shekujt, që iu grabitën asaj nga diktatura e pushtimet. Sheh shqiptarë që janë të lirë, kudo që janë, janë të sigurt në të ardhmen e tyre. Ndaj, edhe njëherë, le të shprehim nderimin më të madh ndaj atyre që të gjithë ne u detyrojmë më të shtrenjtën gjë që ka njeriu i qytetëruar, dinjitetin dhe lirinë”, ka thënë Berisha, i cili më pas ka zhvilluar vizita në familjet e Dëshmorit të Demokracisë Azem Hajdari, në familjen e Heroit të Popullit, Jordan Misja, si dhe dëshmorit më të fundit të Atdheut, kapiten Feti Voglit.


Në homazhet në nderim të të rënëve për liri, ka marrë pjesë edhe kryesocialisti Edi Rama, i cili është shprehur për gazetarët se ëndrra e atyre që u flijuan për lirinë e vendit nuk është bërë realitet, duke shtuar se: “kjo Shqipëri nuk është ajo për të cilën ëndërruam, ne luftojmë për një Shqipëri europiane”. Përfaqësues të opozitës dhe partive të tjera, si dhe veteranë të luftës kanë zhvilluar homazhe në varrezat e dëshmorëve “Nënë Shqipëri”, ku prehen 28 mijë dëshmorë të Luftës Nacional-Çlirimtare.  5 Maji është caktuar dita e Dëshmorëve nga pushteti komunist , pasi përkon me ditën e vrasjes së Heroit të Popullit, Qemal Stafa.


5 maj 2012 (gazeta-Shqip.com)