Një shqiptar ka rënë në prangat e policisë në Itali, i akuzuar për trafik droge. 21-vjeçari shqiptar u kap në Roncade, teksa po i shiste një dozë kokaine një blerësi italian kundrejt pagesës prej 60 eurosh. Gjatë kontrollit, policia zbuloi poshtë makinës që drejtonte i riu një enë metalike me magnet, e fshehur në pjesën e poshtme të automjetit. Brenda saj ndodheshin edhe 70 doza të tjera kokaine, të ndara dhe gati për shitje.

Kontrollet vijuan dhe u sekuestruan 880 euro cash që shqiptari mbante me vete, ndërsa në dhomën e tij u gjetën edhe 5 mijë euro të fshehura poshtë dyshekut të krevatit. Tufa e parave ishte në prerje 10, 20 dhe 50 euroshe.

Sipas autoriteteve italiane, shqiptari ishte pjesë e një rrjeti që funksiononte me takime të organizuara përmes telefonit, ndalesa të shpejta dhe dorëzime të drogës direkt nga dritarja e makinës, për të shmangur kontrollet dhe për të qenë vazhdimisht në lëvizje. Hetuesit dyshojnë se rrjeti përdorte komunikime të koduara në telefon për organizimin e shitjeve dhe lëvizte vazhdimisht për të shmangur vëzhgimin e policisë. Pas arrestimit, 21-vjeçari shqiptar është vënë në dispozicion të autoriteteve gjyqësore italiane dhe pritet të dalë para gjykatës në seancën dëgjimore të drejtpërdrejtë.