Ministria e Mbrojtjes njoftoi se situata e zjarreve në vend paraqitet në përmirësim deri në orën 14:00 të 24 gushtit. Nga 18 vatra të raportuara, 5 vijojnë të jenë aktive, ndërsa 7 të tjera po monitorohen nga strukturat e emergjencave. Fokusi kryesor mbetet Mali i Dajtit, ku po ndërhyjnë forcat tokësore dhe ajrore. Autoritetet bëjnë me dije se, pavarësisht terrenit të vështirë, nuk ka rrezik për zonat e banuara. Situata është përmirësuar edhe në Pukë, ku zjarret në Gjegjan, Gojan të Vogël dhe Gojan të Madh janë shuar, ndërsa vatra në Prozhëm është drejt neutralizimit.
Në Dibër vijojnë aktive vatrat në Ballenjë dhe Qafën e Helmës, pa rrezik për banesat. Në Lezhë janë shuar zjarret në Lufaj e Shtuf, ndërsa Kalivaçi dhe zona e Tenës po monitorohen. Ndërkohë, strukturat vijojnë monitorimin në Elbasan dhe Vlorë, ndërsa një vatër e re aktive është raportuar në malin e Luzatit në Tepelenë, ku po ndërhyjnë zjarrfikësit lokalë. Ministria thekson se operacione e shuarjes së zjarreve janë angazhuar 216 forca dhe 8 automjete zjarrfikëse, ndërsa Forcat e Armatosura mbështesin ndërhyrjen me 70 efektivë, një automjet zjarrfikës, një ekskavator dhe dy helikopterë.
